Për ata që nuk mbajnë fjalën e dhënë publikisht, edhe në Librazhd përdorin fjalën e urtë popullore: – “Fol e mbaje, ose bëje dhe haje”
Nga viti 2010 e deri sot, Taulant Balla nuk ka reshtur së kallëzuari në Prokurori e prej 3 vitesh në SPAK, grabitjen e truallit të kompleksit “Partizani” nga Jamarbër Malltezi dhe përfshirjen e Shkëlzen Berishës në aferën e CEZ, të mbështetur me vendime qeverie nga Sali Berisha.
Deri në muajin shtator 2013, deputeti Taulant Balla bëri 6 kallëzime penale në Prokurorinë e Tiranës dhe 4 denoncime në Drejtorinë e Anti- krimit Ekonomik- Financiar, por nuk u veprua, për shkak se këto i komandonte Sali Berisha.
Pasi PS erdhi në pushtet, Taulant Balla u betua, se do finalizonte betejën për të çuar para drejtësisë e në burg me prova, Sali Berishën, të birin Shkëlzen Berisha dhe dhëndrin Jamarbër Malltezi, për aferën e CEZ dhe grabitjes së 10 mijë m2 truall të kompleksit “Partizani”.
Pa u zgjatur me historikun e kësaj beteje, madje edhe me komision hetimor parlamentar të dështuar, po përmendim faktin se më 12 nëntor 2020, Taulant Bala me cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, bëri kallëzim në SPAK ndaj Saliut, Shkëlzenit e dhëndrit Malltezi.
Pas dorëzimit të kallëzimit, Taulant Balla, tha: – “Betimin e bërë para shqiptarëve nuk do ta shkel kurrë, unë do ta bëjë realitet çuarjen para drejtësisë e në burg me prova, të Sali Berishës, të djalit e dhëndrit të tij, që kanë grabitur financat dhe pasuritë e popullit”.
Më 2 mars 2022, SPAK informoi se kallëzimi ishte regjistruar si procedim penal pa emrat e të kallëzuarve, ndërsa më 7 qershor 2023, Taulant Balla u thirr në SPAK për kallëzimin e bërë, por prej 3 vitesh nuk ka procedim penal ndaj Berishëve.
Pra, prej 13 vitesh, kallëzimet e bëra nga Taulant Balla, janë bllokuar edhe nga SPAK, i cili është mjaftuar duke marrë në pyetje vetëm disa zyrtarë, por nuk është pyetur asnjë nga 3 të kallëzuarit e familjes “Berisha”, që janë bashkë-autorë të aferave CEZ e ish-kompleksit “Partizani”.
Tani, ka mbetur vetëm betimi i Taulant Ballës, se këta 3 hajdutë do t’i çojë para drejtësisë e në burg me prova konkrete; dhe mundësia ligjore e fuqia shtetërore për ta bërë realitet betimin e tij, i ka ardhur në dorë me emërimin Ministër i Brendshëm.
Si ministër, ka në vartësi Anti-krimin Ekonomik-Financiar. Afera CEZ e Shkëlzenit dhe grabitja e truallit të kompleksit “Partizani”, janë krime ekonomike-financiare, objekt i hetimit dhe veprimit procedurial të Sektorit të Anti-krimit në Policinë e Shtetit.
Taulant Balla, nëpërmjet drejtorit të Policisë së Shtetit, ka kompetencën ta aktivizojë zyrën e Anti-krimit Ekonomiko-Financiar, për të hetuar provat dhe për t’i adresuar prokurorisë arrestimin e deputetit Sali Berisha, ndërsa të birin e dhëndrin i arreston menjëherë.
A do ta mbajë betimin Taulant Balla, për të prangosur e çuar Berishët para drejtësisë, apo do bëjë sikur ka harruar?
Sepse për ata që nuk mbajnë fjalën e dhënë publikisht, edhe në Librazhd përdorin fjalën e urtë popullore: – “Fol e mbaje, ose bëje dhe haje”./Pamfleti