Një nga njerëzit më të pasur të Kinës, bashkëthemeluesi i “Alibaba Group”, Jack Ma ka mbërritur në Tiranë për të qëndruar disa ditë.
Arsyeja e vizitës së personit të katërt më të pasur të Kinës mbetet e panjohur, për biznes apo për turizëm. Ai mbërriti në kryeqytetin shqiptar pas një vizite në Europë dhe Ballkan. Pas Shkupit vizitoi Tiranën ku fjeti në hotelin më të ri “Marriott Tiranë” në kullën e stadiumit Arena. Darkoi në Padam dhe në Millenium dhe vizitoi BunkàArt1 dhe Muzeun Kombëtar. Ai u largua nga Shqipëria me datë 13 korrik me premtimin se do të rikthehet pas mbresave shumë të mira.
Bashkëthemeluesi i “Alibaba Group”, një nga kompanive më të mëdha të shitjeve online në të gjithë botën, Jack Ma është një manjat biznesi, investitor dhe filantropist kinez. Ai është gjithashtu bashkëthemelues i “Yunfeng Capital”, një firmë kineze e kapitalit privat. Ma konsiderohet personi i katërt më i pasur në Kinë (pas Zhong Shanshan, Zhang Yiming dhe Ma Huateng) me një pasuri me vlerë neto prej 34,5 miliardë Dollarësh.
Që nga viti 1999, Ma shërbeu si kryetar ekzekutiv i “Alibaba Group”, e cila është dhe në ditët e sotme një nga kompanitë më të spikatura të teknologjisë së lartë në Kinë në dy dekada që nga fillimi i tij, me mbi nëntë degë kryesore: Alibaba.com, Taobao Marketplace, Tmall, eTao, Alibaba Cloud Computing, Juhuasuan, 1688.com, AliExpress.com dhe Alipay.
Gjithashtu, Jack Ma është themeluesi i Fondacionit Jack Ma, një organizatë filantropike e fokusuar në përmirësimin e arsimit, mjedisit dhe shëndetit publik. Në vitin 2019, “Forbes” e emëroi Ma në listën e saj të “Heronjve të Filantropisë së Azisë 2019” dhe i dha atij çmimin “Malcolm S. Forbes” për arritjet e jetës për punën e tij në mbështetjen e komuniteteve të paprivilegjuara në Kinë, Afrikë, Australi dhe Lindjen e Mesme.
Në vitin 2020, në përgjigje të pandemisë COVID-19, Fondacioni Alibaba dhe Fondacioni Jack Ma nisën iniciativa të ndryshme, disa prej të cilave përfshinin dhurimin e furnizimeve mjekësore për Shtetet e Bashkuara, si dhe vende të ndryshme në Azi, Afrikë dhe Evropë./Tema/