Për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021 rreth 43 deputetë të opozitës u mblodhën sot së bashku në një takim të thirrur nga Gazment Bardhi.
Pas takimit me Bardhin, Berisha paralajmëroi se “do t’i kallë datën Edi Ramës”, duke theksuar se opozita është e bashkuar në Parlament.
“Besoj se ishte një mesazh shumë pozitiv dhe një përgjegjësi në të cilën deputetët vendosin të bashkojnë të gjithë përpjekjet e tyre kundër një regjimi. Ky ishte një takim i 43 deputetëve të dalë nga një aleancë opozitare dhe që vendosën t’i kallin datën dhe tmerrin Edi Ramës.
Asgjë më të moralshme nuk ka se sa beteja ndaj Edi Ramës që po shkreton Shqipërinë. Janë 620 mijë opozitarë që sot marrin frymë lirisht, sot për ta çelet horizont i ri në betejën kundër regjimit”, tha Berisha.
Sot Gazment Bardhi dhe Sali Berisha u pajtuan me njëri-tjetrin duke “harruar” retorikën fyese që shkëmbyen në luftën e brendshme brenda PD që kulmoi në ngjarjen e paprecedent të 8 janarit ku militantët demokratë të ndarë në dy kampe “berishist” dhe “bashist” sulmuan selinë blu.