Asambleja e Partive Popullore Europiane (aleate të PD), ka miratuar këtë të martë një rezolutë, të propozuar nga partia greke pjesë e këtij grupimi politik, Nea Dimokratia, ku flitet për sundimin e ligjit në Shqipëri, veçanërisht për rastin e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, të burgosur për korrupsion zgjedhor.
“I bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe të vijojnë me ceremoninë e betimit të kryebashkiakut të zgjedhur”, tha Thanasis Bakolas, sekretar i përgjithshëm i Partive Popullore Europiane.
Kryeministri Edi Rama reagoi direkt, në lidhje me këtë rezolutë të Partive Popullore Evropiane.
“Interesante! “I bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare”… Një thirrje pa specifikuar se cilat autoritete dhe, me siguri, pa u informuar se problemi në këtë rast nuk është rezultati i zgjedhjeve, por rezultati i gjykatave, të cilat tashmë e kanë refuzuar një kërkesë të tillë.
Unë përdora “me siguri” sepse do të ishte vërtet tronditëse nëse Partia e madhe Popullore Evropiane do të miratonte një rezolutë të titulluar “Sundimi i Ligjit” për të kërkuar një rezultat të ndryshëm nga ai i vendosur nga Prokurori Special kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatat Speciale me të njëjtin emër.
Këto institucione u krijuan me mbështetjen e plotë nga BE dhe SHBA dhe ndihmohen nga afër nga SHBA dhe BE në punën e tyre mbresëlënëse kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nëse është e nevojshme, ne jemi më se të gatshëm t’i ofrojmë lidershipit shumë të respektuar të PPE-së informacion për këtë çështje në çdo format dhe në çdo kohë.
Është pa dyshim që të gjitha autoritetet shqiptare presin shumë mbështetjen e vazhdueshme të PPE-së, si një zë i fortë i Evropës sonë gjatë kësaj faze historike ndryshimi për vendin tonë. Së fundi, rastet e profilit të lartë po hetohen tërësisht, duke kapërcyer përkatësitë politike dhe duke sinjalizuar fundin e një epoke të gjatë mosndëshkim”, shkruan Rama.