Veprimet e dyshimta të Presidentit Ilir Meta sa i takon marrëveshjes me Greqinë kanë rritur shqetësimin në Athinë. Prej dy ditësh mediat greke i kanë kushtuar një rëndësi të madhe marrëveshjes mes dy vendeve, por ai që ngrihet si shqetësim është fakti se presidenti shqiptar mund të mos japë firmën për paktin e ri. Media si “Kathimerini” dhe “News 24/7”, kanë shkruar dje një sërë artikuj mbi takimin e Ditmir Bushatit mes Nikos Kotzias, por kanë treguar se qeveria greke tani i ka sytë te Ilir Meta. Mediat greke kanë paralajmëruar se Meta nuk do e firmosë marrëveshjen e re dhe mund të ndodhë që takimi Rama-Tsipras të dështojë. “Marrëveshja do të ratifikohet nga dy kryeministrat Alexis Tsipras dhe Edi Rama. Plani fillestar ishte që të dy liderët të takoheshin në Korçë gjatë Pashkëve, por gjithçka dështoi për shkak të përballjes së kryeministrit Rama me opozitën dhe Presidentin Ilir Meta. Ky i fundit po bën thirrje për një marrëveshje që të mos shkelë dispozitat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila anuloi paktin e vitit 2009. Ky kusht i vënë nga ilir Meta e bën marrëveshjen jashtëzakonisht të vështirë. Në shtypin shqiptar u pasqyrua intervista e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili akuzon qeverinë “Rama” se është duke shitur detin”, shkruan “Kathimerini”. Por më i drejtpërdrejtë është portali “News24/7”. Ai ka shkruar se presidenti shqiptar ka dhënë sinjale se nuk do e firmosë marrëveshjen mes dy vendeve. “Ka një sërë vështirësish në marrëveshjen mes Greqisë dhe Shqipërisë, pasi Presidenti Ilir Meta nuk autorizon qeverinë e Edi Ramës të finalizojë paktin. Në Rodos, Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati po intensifikojnë përpjekjet për të mbyllur marrëveshjen në mënyrë që dy kryeministrat Alexis Tsipras dhe Edi Rama të mbyllin gjithçka. Por ekziston një optimizëm se Ilir Meta do bindet dhe do të ndryshojë sjellje, kjo falë dhe presionit ndërkombëtar. Argumentet e paraqitura nga opozita në Shqipëri janë të njëjta me ato të dhëna nga opozita në Athinë. Lajmi për mbylljen e paktit mes Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushatit ka shkaktuar një valë reagimesh në Shqipëri”, thuhet në artikull. Pra duket se Greqia është shumë e shqetësuar nga Meta, ndërsa mediat raportojnë se po ndërhyjnë dhe faktorët ndërkombëtarë që ai të mos e bllokojë paktin.
Lëvizjet e Ilir Metës
Sipas Kushtetutës dhe vendimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2010, marrëveshjet ndërkombëtare janë në dorë të Presidentit të Republikës. Kjo do të thotë se dhe pakti i ri me Greqinë varet nga lëvizja e kreut të shtetit. Sipas përcaktimeve ligjore, fillimisht Presidentit autorizon ministrinë e linjës për nisjen e negociatave, siç ndodhi në këtë rast me Ministrinë e Jashtme. Më pas marrëveshja i kalon sërish Presidentit, i cili ja dërgon Parlamentit për miratim. Në fund është po presidenti që bën dekretimin. Kjo do të thotë se janë dy faza kur duhet të vendosë Ilir Meta. Por Presidenti pak ditë më parë mbajti një qëndrim publik, ku tha hapur se do të kërkojë informacione shtesë nga Bushati. Po ashtu dha sinjale se do të presë Gjykatën Kushtetuese të ngrihet në mënyrë që për çdo parregullsi të jetë ajo që do të bëjë interpretim. Kjo gjë duket e ka rënë dhe në vesh të grekëve, dhe tani Athina i ka sytë te Meta, i cili njihet dhe si i afërm i tyre. / / Kliti Topalli