Nisja e hetimeve për “Gërdecin nga pika zero mund të sjellë zhvillime të forta. Rrugës mund të fundosen dhe njerëz të tjerë. Mediat amerikane kanë akuzuar si të përfshirë edhe Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Berisha, por ata kurrë nuk janë hetuar deri më tani nga drejtësia siç duhet. Sinjalet se priten zhvillime të bujshme pas shumë vitesh u dhanë ditën e djeshme me lajmin se i biri i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha do të pyetet nga SPAK.
Prokuroria e Posaçme i kërkoi dje Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit të marrë në pyetje Shkëlzenin si dëshmitar në gjyqin ndaj Fatmir Mediut për masakrën e Gërdecit të 15 marsit 2008. Ish ministri i Mbrojtjes akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues për shpërthimin në “fabrikën” e demontimit të armëve ku humbën jetën të paktën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.
Kërkesa u paraqit dje, pra më 22 shtator 2023 në Gjykatën e Posaçme e cila zhvilloi seancën e radhës ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu pas tërheqjes së tij nga gjykimi i shkurtuar dhe pranimin e vijimit të një hetimi të zakonshëm gjyqësor, vendim i marrë më 8 shtator 2023. Në këto kushte Prokuroria paraqiti kërkesën për gjykim si dhe listën me 71 dëshmitarë të cilët ajo kërkon të thërrasë në gjyq si dëshmitarë dhe kërkesën për provat shkresore që i vë në dispozicion.
Juristët u shprehën ditën e djeshme se ky është një lajm pozitiv për faktin se kësaj çështjeje po i shkohet deri në fund dhe më në fund Shkëlzeni do duhet të shpjegojë se cili ka qenë realisht pozicioni i tij në këtë tragjedi. Sa i takon mundësisë për dëshmi të rreme apo kontradiksione ligji parasheh dënime për këto shkelje.
Por faktet që po sjellim në vëmendje të publikut konfirmojnë implikimin e shumëfishtë të Shkëlzen Berishës në aferën e Gërdecit. Jo vetëm kaq, por nëse provat dhe dëshmitë ndërlidhen, ngrihen dyshime serioze se i biri i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, ishte pronar në hije i biznesit të Gërdecit, ndërsa ministrat e qeverisë së babai të tij, ishin thjeshtë ushtar për zbatimin e skemës së korrupsionit.
Dokumenti që fundos Shkëlzenin
Një nga provat më të forta që tregon përfshirjen e Shkëlzen Berishës në krimin shtetëror të Gërdecit, është dëshmia e sekretares së ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi. Ajo vërteton përfshirjen e Shkëlzenit, në këtë biznes.Ish-sekretarja ka pranuar para prokurorëve se ajo ka dërguar faksin me shënimin “Për Shkëlzen Berishën…” në një numër faksi të Ministrisë së Mbrojtjes. Gazeta po publikon faksimilet ku ajo thotë se Shkëlzen Berisha erdhi në zyrë dhe u takua me ministrin para se të niste faksin.
Dëshminë e saj ne e kemi nxjerrë pak ditë më parë, por gazeta sot po nxjerr dokumentet origjinale. Sekretarja Anjola Agolli shpjegon procedurën si e ka protokolluar faksin dhe si është dërguar ai në Ministrinë e Mbrojtjes. Bëhet fjalë për një faks privat që ministri Aldo Bumçi i ka dërguar për informim Shkëlzen Berishës, për t’i kujtuar se ia ka firmosur “Memo”-n që aprovonte biznesin e tij në Gërdec. Ky i fundit e mohon se e dërgoi ai, por hetimet brenda SPAK mund të sjellin surpriza, pasi kopja origjinale kishte shkuar me post në Ministri, ndërsa faksi për Shkëlzen Berishën ishte dërguar në një zyrë të një njeriu të besuar të tij që ia dorëzonte.
\“Nuk e kujtoj se kush e ka sjellë, por zakonisht e sjell sekretarja. Ministri më udhëzoi t’ia nisja Ministrisë së Mbrojtjes me faks shkresën që kishte vënë shënimin “Për Shkëlzen Berishën”. Unë kujtoj se kam nisur ashtu kërkesën te Ministria e Mbrojtjes në numrin e faksit që i kishim nisur që më parë, pasi i kishim të gjitha numrat e fakseve të dikastereve në numërator. Nga Ministria e Mbrojtjes më ka marrë një zë femre, e cila më tha se në Ministri nuk ka njeri me atë emër, dhe unë i kam thënë se kështu ma kanë dhënë faksin për ta nisur”, është shprehur ish-sekretarja në prokurori, Anjolla Agolli. Dëshmia e ish-sekretares së ministrit të Drejtësisë është marrë brenda gjithë rregullave nga prokuroria, por Shkëlzen Berisha nuk u thirr kurrë në prokurori, për shkak të presionit të Berishës.
Dëshmitë e tjera që e fundosin
Përveç provave të qarta me dokumente për implikimin e Shkëlzenit, kujtojmë këtu dhe dëshmitë e personazheve që janë larguar nga jeta, por edhe nga vendi në mënyrë misterioze. Po flasim për të ndjerin Kosta Trebicka, dëshmitari kyç i Gërdecit dhe trafikut të armëve, i gjendur i vdekur më pas mbi Voskopojë. Kosta Trebicka akuzoi Shkëlzen Berishës se kishte ndërhyrë Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Florida, për të nxjerrë Trebickën jashtë loje nga biznesi i armëve. Dëshmia tjetër është e Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Florida.
Gjatë përgjimeve të Diverolit dhe Trebickës para shpërthimit të Gërdecit, Diveroli shprehet se në Gërdec janë implikuar Sali Berisha si kryeministër dhe Shkëlzeni, të cilët i konsideron si mafien më të fortë. Ndër të tjera, Efraim Diveroli shprehet se “…kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafia është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit.
Shumë lojtarë…”. Një ndër individët që pati guximin të flasë për Gërdecin, është Gjenerali Luan Hoxha. Ai ka dhënë një dëshmi në ambasadën amerikane, ku përmend ish-ministrin e Mbrojtjes dhe djalin e ish-kryeministrit. Një kabllogram i publikuar nga Ëikileaks, tregon se çfarë ka deklaruar Hoxha. “Hoxha tha se, kur vizitoi Gërdecin në mes të vitit 2007, ushtarët e tij po i kryenin këto dy detyra dhe në sipërfaqe nuk dukej se kishte diçka të dyshimtë.
Ai akuzoi se gjatë gjysmës së dytë të projektit, duke filluar nga dhjetori 2007, ai ishte urdhëruar nga Mediu, për shqetësimet e tij të deklaruara me shkrim kryeministrit Berisha (dhe Kryetares së Kuvendit Topalli dhe Mediut), si dhe pas presionit të drejtpërdrejtë nga telefoni nga “një i ri”, të cilin më vonë e identifikoi si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, që të vazhdonte të dorëzonte municione të kalibrit të lartë në Gërdec dhe ta bënte këtë gjë pa vonesa”, thuhet në kabllogram.
Shpërthimi, Mediu 4 biseda telefonike me Shkëlzen Berishën
Ka një moment kyç që zbulon se kush ishin pronarët e vërtetë të biznesit kriminal të demontimit të municioneve në Gërdec. Janë lëvizjet e para të Fatmir Mediut kur shpërtheu fabrika në Gërdec. Dy orë pas shpërthimit, ditën e 15 marsit 2008, nga tabulatet telefonike rezulton se Fatmir Mediu, i telefonon pikërisht Shkëlzen Berishës, e cila zgjat 74 sekonda. Telefonatën e parë, Mediu e bën me Shkëlzenin në orën 14.08 minuta. Në orën 16.31 minuta, Mediu ka folur sërish 37 sekonda me Shkëlzen Berishën. 10 minuta më pas ka follat përsëri 32 sekonda. Atë ditë Mediu ka zhvilluar një bisedë të katërt me Shkëlzenin, në orën 5 të pasdites dhe ka zgjatur 56 sekonda. Sot Shkëlzeni tha se i kishte telefonuar për halle familjare. Po pse ditën e Gërdecit e gjetën Fatmir Mediu dhe Shkëlzen Berisha për të qarë hallet familjare?!
Mihal Delijorgji i telefonon Shkëlzenit pas shpërthimit
Të gjithë veprojnë dhe sillen rreth Shkëlzenit. Në orën 12:10 të 15 marsit 2008 shpërtheu fabrika në Gërdec dhe tragjedia ishte në zhvillim e sipër. Pas shpërthimit, mes personave të parë që u ka telefonuar pronari i “Albademil” Mihal Delijorgji që merrej me demontimit, është Shkëlzen Berisha. Sipas tabulateve telefonike, Delijorgji i ka telefonuar Shkëlzen Berishës në orën 12:48 dhe biseda ka zgjatur 54 sekonda. Mbetet mister se çfarë kanë biseduar Delijorgji dhe Shkëlzeni, ndërsa ky moment kuç është injoruar nga hetimet. Shkëlzen Berisha mohoi në fillim se ka pasur telefonata apo njohje me Delijorgjin, por pas publikimit të tabulatit, nuk bëri më komente. Pas Shkëlzenit, Delijorgji i ka telefonuar disa herë Ilir Metës, i cili një vit më vonë do të bashkohej me Sali Berishën.
Fillon sëpata e SPAK mbi familjarët e Berishës, Shkëlzeni Fillon sëpata e SPAK mbi familjarët e Berishës, Shkëlzeni Fillon sëpata e SPAK mbi familjarët e Berishës, Shkëlzeni. /Rigels Seliman