Një efektiv i forcave “Shqiponja” është dhunuar në zonën e Laprakës në Tiranë, mëngjesin e kësaj të diele. Sipas burimeve, mësohet se patrulla e policisë ka ndaluar një mjet për kontroll, brenda së cilës ndodheshin tre persona.
Ndër të tjera mësohet se ata nuk i janë bindur urdhrit të policisë dhe kanë nisur fillimisht të debatojnë me fjalë me ta e më pas të goditen edhe me grushta.
Ndërkaq sipas burimeve nga policia mësohet se drejtuesi i mjetit u shoqërua në komisariat dhe rezultoi të ishte punonjës policie në Vlorë, efektiv tek njësia “Shqiponja”.
Për shkak të situatës së krijuar dhe kundërshtimit që u ka bërë kolegëve të Tiranës, bashkë me 2 miqtë vlonjatë që e shoqëronin, në ndihmë kanë shkuar edhe 7 patrulla policie, të cilat kanë neutralizuar situatën.
Efektivit nga Vlora i është sekuestruar arma e shërbimit që e kishte me vete në makinë dhe një thikë dhe është izoluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.