Kristjan Asllani nuk po arrin të zërë vendin e tij në planet e Inzagit. Minutat kanë qenë me pikatore për të një sezon më parë, ndërsa në kampionatin e këtij edicioni mori vendin e titullarit kundër Real Sociedadit pas një dëmtimi të Calhanoglusë.
Por paraqitja me zikaltrit në Champions League nuk shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme për lojtarin shqiptar, i cili mori kritika nga opinioni sportiv.
Nisur nga këto fakte, palët kanë nisur të marrin në konsideratë edhe një largim nga Interi. “Fcinternews.it“ raporton se nuk përjashtohet mundësia e rikthimit të Kristjan Asllanit te Empoli që në muajin janar.
Një lëvizje e tillë do të ishte një kthim në shtëpi për futbollistin e Kombëtares kuqezi, që shkëlqimin e tij e pati pikërisht me klubin e Empolit.