Ernest Muçi është njeriu i momentit te Legia Varshavës.
Sulmuesi shqiptar po shkëlqen këtë sezon duke shënuar gola javë pas jave mes kampionatit dhe Europës.
Në 13 ndeshjet e para të kampionatit, Muçi gjeti 5 herë rrugën e rrjetës ndërsa në debutimin e Legias në Conference League shënoi një dopietë që i dha fitoren polakëve përballë një kundërshtari si Aston Villa që luan në Premier League.
Në minutën e 85-të u zëvëndësua nga trajneri me qëllimin e vetëm për të marrë ovacionet e publikut që nuk zhgënjeu aspak teksa u ngrit i gjithi në këmbë për të brohoritur emrin e djaloshit shqiptar. Ernest Muçi, por ‘Ç’-ja pak e vështirë për t’u shqiptuar nga polakët të cilët i kanë ndryshuar emrin 22-vjeçarit.
“Kral albanski”, shqip mbreti shqiptar, shkruajnë tifozët në komente ndërsa vetë klubi i Legias në një video të postuar në rrjete sociale ku ultrasit dhe lojtarët brohorasin në kor emrin e ish-lojtarit të Tiranës, shkruan: “Mucinho”, duke e ‘asimiluar’ Ernestin në një brazilian plot klas e hijeshi në lojë.