Marrëdhëniet ekonomike të shtetit shqiptar në vitet 20-30-të shekullit XX-të zhvilloheshin kryesisht me vendet fqinje (Italinë dhe Greqinë), por nuk mungonin edhe produkte, të cilat shkonin e vinin nga përtej oqeanit.
Kështu, Shqipëria eksportonte produkte agro-ushqimore dhe importonte artikuj të ndryshëm, duke nisur që nga paisjet shtëpiake, automjetet dhe makinat bujqësore e deri tek pëlhurat, kafja, çaji, kakao, sheqeri etj.
Në këtë periudhë marrëdhëniet tregtare me ShBA-në zinin vendin e tretë pas Italisë dhe Greqisë, me të cilat vëllimi i shkëmbimeve ishte tepër i lartë, për shkak të afërsisë gjeografike dhe orientimit të politikës së jashtme të shtetit shqiptar.
E dhunoi se kishte lindur vajzë, 22-vjeçarja shqiptare mbahej ‘e burgosur’ bashkë me të bijën nga burri në Greqi! Fqinjët: S’e kemi parë kurrë
LEXO EDHE:
E dhunoi se kishte lindur vajzë, 22-vjeçarja shqiptare mbahej ‘e burgosur’ bashkë me të bijën nga burri në Greqi! Fqinjët: S’e kemi parë kurrë
Një rol të rëndësishëm për rritjen e eksporteve drejt ShBA-së ka luajtur konsulli shqiptar, George Prifti, i cili u përpoq jo vetëm të orientonte prodhuesit, por edhe t`i mbronte tregtarët shqiptarë nga konkurrentët e tyre grekë.
Në fakt produktet agro-ushqimore që eksportoheshin nga Shqipëria e atyre viteve ishin më të kërkuarat në tregun amerikan. Kjo për shkak të cilësisë dhe vlerave të tyre ushqimore.
Në vitin 1926, George Prifti informonte se një nga produktet e kërkuara në tregun amerikan ishin fiqtë e thatë, të cilët, duke njohur klimën e vendit tonë dhe sasitë e prodhuara mund të eksportoheshin me sënduqe. Ndërsa në vitin 1927, në ShBA shkoi tregtari Lipi Laska, i cili kërkoi të gjente treg për eksportimin e kaçkavallit. Gjirokastra ishte një nga qytetet kryesore të prodhimit dhe eksportimit të djathit. Sipas disa të dhënave arkivore, vetëm në vitin 1933 prodhuesit shqiptarë eksportuan drejt ShBA-së 341.050 kg djathë.
Por rritja e volumit tregtar të këtij produkti nuk shihej me sy të mirë nga konkurrentët dhe prodhuesit grekë. Në një relacion drejtuar Ministrisë së Jashtme nga konsulli shqiptar në New York, George Prifti, më 19 mars 1928 mbi eksportimin e djathrave të Shqipërisë në ShBA, ai raporton për luftën që tregtarët grekë ishin duke bërë atje për të shkatërruar këtë biznes shqiptar. Kjo ishte intensifikuar pas krijimit të shoqërisë “Dele” në Gjirokastër, e cila kishte si qëllim prodhimin dhe eksportimin e djathit.
Në kuadër të kësaj konkurrence, për të demoralizuar tregtarët shqiptarë, grekët e ShBA-së filluan që ta shisnin djathin nën kosto. Ata kishin bindjen se, shqiptarët do të mërziteshin dhe brenda një kohe të shkurtër do të hiqnin dorë nga eksportimi i këtij produkti.
Për këtë arsye, konsulli George Prifti kërkoi nga MPJ që të merrte masa për të informuar në rrugë konfindenciale tregtarët shqiptarë që të mos hiqnin dorë nga ky biznes. Sipas tij, cilësia e djathit të tyre që eksportohej në ShBA ishte jo vetëm i pakrahasueshëm me djathin që prodhonin vendet ballkanike, por edhe një shtet europian si Italia.
Në funksion të kësaj kërkese, Ministria e Brendshme, më 21 prill 1928 i shpërndau një qarkore prefekturës së Korçës, Gjirokastrës, Vlorës, Beratit dhe Durrësit për të informuar në mënyrë fshehtë tregtarët dhe prodhuesit e djathit lidhur me politikën e konkurrentëve të tyre grekë në ShBA.