Uzuni probleme muskulore tek Granada, Broja bëhet gati të kthehet në Kombëtare pas një viti
Adriatik BALLA
Shqipëria do të luajë përballë Çekisë më 12 tetor në Tiranë, në atë që konsiderohet edhe si dueli vendimtar për fatet e grupit E, nisur nga ambicia q2ë kanë të dyja skuadrat për të siguruar kualifikimit në Europianin e vitit të ardhshëm. Duhet theksuar se Shqipëria për momentin është në vend të parë në grup, me 10 pikë, ndjekur nga Çekia dhe Moldavia me nga 8 pikë. Ndaj dhe përplasja e 12 tetorit është duel direkt për kualifikimin.
Një fitore na afron në mënyrë përfundimtare me finalet e Europianit, madje na bën pretendentë për vend të parë në grup, por jë humbje mund të vërë në rrezik dhe të hedhë në erë ëndrrat kualifikuese. Ndaj trajnerit brazilian të Kombëtares, Silvinjo, i duhet një grup i plotë dhe në top-formë për të marrë maksimumin. Për momentin ka një lajm të mirë që është kthyer Armando Broja dhe me siguri që do të grumbullohet në tetor, por ka një shqetësim që lidhet me një formë jo të mirë të Myrto Uzunit, ku në Spanjë tek Granada flasin për një dëmtim.
Uzuni shqetëson Silvinjon
Trajnerin Silvinjo e shqetëson së fundmi gjendja shëndetësore e sulmuesit të krahut, Myrto Uzuni, pas deklaratave të vetë trajnerit të tij tek Granada, Pako Lopez. Në fakt, Myrto Uzuni ishte në fushë përgjatë 90 minutave në sfidën e Granadës në transfertë ndaj Las Palmas. Sulmuesi nuk mundi të shfaqej vendimtar në këtë ndeshje dhe skuadra e tij humbi me shifrat 1-0. Megjithatë, trajneri i Granadës, Pako Lopez zbuloi në deklaratat pas ndeshjes së Uzuni kishte luajtur duke pasur një shqetësim i cili nuk e lejonte 28-vjeçarin të ishte në formën maksimale. “Gjatë javës së kaluar, Uzuni pati një shqetësim të vogël në kuadriceps.
Megjithatë, ai kishte ndjesi pozitive dhe testet nuk treguan një dëmtim të mirëfilltë ndaj vendosëm që të ishte pjesë e ndeshjes ndaj Las Palmas”, u shpreh Lopez. Granada e Uzunit nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë sezon të La Ligës dhe pas gjashtë javëve të para ka mundur të grumbullojë vetëm tre pikë ndërsa sa i takon sulmuesit të kombëtares, ai e ka gjetur rrugën e rrjetës në dy raste. Mbetet të shihet shqetësimi që ka lojtari, pasi në ndeshjen ndj Çekisë trajneri Silvinjo dëshiron një grup sa më të plotë e në top-formë për duelin vendimtar në grupin E për fatet e kualifikimit në Europian.
Broja mesazh falënderimi për kthimin në fushë
Ndërkohë që Uzuni ka shqetësuar jo pak stafin e Kombëtares, duket se një tjetër sulmues kthehet i fuqishëm në përfaqësuese dhe bëhet fjalë për një nga elementët premtues. Kështu, sulmuesi i Kombëtare Shqiptare të Futbollit, Armando Broja, u rikthye të dielën në fushë me Çelsin.
Broja e nisi sfidën ndaj Aston Vilës nga stoli, ndërsa zbriti në fushë në minutën e 79’, duke zëvendësuar Kaicedon. Në një reagim në rrjetet sociale, Broja shprehu keqardhje për humbjen 0-1 ndaj Aston Vilës, ndërsa më tej falënderoi të gjithë ata që punuan në rikthimin e tij. “Natyrisht nuk është rezultati që prisnim sot, por çfarë ndjesie e pabesueshme dhe emocionale të kthehesh në fushë pas kaq shumë muajsh jashtë. Faleminderit djema për mbështetjen dhe faleminderit të gjithëve që punuan për kthimin tim”, shkruan Broja.