Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ishin sot në fshatin Banjskë të Zveçanit ku dhe të dielën e 24 shtatorit 2023 një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë reshterin Afrim Bunjaku dhe plagosur 2 të tjerë. Më pas grupi u fsheh në manastirin Banjskë nga ku dhe për disa orë qëlluan policinë e Kosovës që i kishin rrethuar.
Autoritetet e Prishtinës vizituan pikërisht manastirin ku ishin ishin vendosur pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmoi policinë pjesë e të cilit ishte dhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiç.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi sot pamje nga droni ku shihet një grup personash të armatosur rëndë teksa qëndrojnë në një pjesë të ndërtesave të manastirit ortodoks në Banjske. Në pamje duket se një nga ta është Milan Radojçiç, i shpallur ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.
Po ashtu gjatë kësaj vizite policia e Kosovës u shoqëruan me Zëvendës Komandantin e KFOR-it si dhe takuan këshilltarin e EULEX-it për drejtorinë rajonale Mitrovicë veri, me të cilët diskutuan rreth situatës së sigurisë.
“Gjatë vizitës në disa lokacione në fshatin Banjskë ata takuan dhe inkurajuan zyrtarët e institucioneve të sigurisë të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm po kryejnë detyrat në mënyrë aktive në teren, me qëllim të krijimit të një sigurie më të madhe për të gjithë qytetarët pa dallim. Njëkohësisht drejtori HOXHA, u interesua rreth ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve nga njësitet policore dhe siguroi që PK-ja do të vazhdojë tu ofrojë ndihmë qytetarëve sipas nevojave dhe kërkesave të tyre.”
Gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë e Kosovës u vranë 3 shtetas serbë. Sipas Tanjug serbët e vrarë janë Stefan Nedeljković, Igor Milenkvić, Bojan Mijailović. Ndërkohë autoritetet kosovare nuk kanë bërë publike identitetin e tyre.
Lista Serbe nga ana e saj ka deklaruar tre ditë zie për vdekjen e tre sulmuesve serbë.