Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama se dita e zisë është sinjali më I keq që Beogradi mund të dërgojë.
Në intervistën për Radiotelevizionin serb Vuçiç tha se kryeministri shqiptar “nuk po e thotë të vërtetën, sepse komunat në veri të Kosovës kanë shpallur zi vetëm për serbët, por Republika e Serbisë shpalli zi për vdekjen e të gjithëve”.
Dje në një shënim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare thotë se në vend që Serbia të hapte një hetim serioz për anëtarët e këtij grupi kriminal, si dhe për lidhjet e tyre me trafikun e armëve, Beogradi më këtë shpallje zie po i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur. Për kryeministrin Rama, kjo është jo vetëm e pajustifikueshme dhe e papranueshme, por e dënueshme me të gjithë forcën e fjalës e të instrumentave në dispozicion të bashkësisë euro-atlantike.
Sipas Vuçiç dita e zisë e shpallur nga Beogradi është jo vetëm për tre terroristët e vrarë serbë në Kosovë, por edhe për policin e Kosovës që u vra pikërisht nga ky grup terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Më tej presidenti serb tha se terroristët serbë që sulmuan shtetin e Kosovës, për të nuk do të jenë kurrë terroristë.
Ai foli edhe për aksionin e Policisë së Kosovës për të neutralizuar grupin terrorist, ndërsa u shpreh se policia e kishte qëllimin që t’i vriste të gjithë serbët.
“Nuk mund të arsyetoni vrasjen e një njeriu, vrasjen e një polici, pa marrë parasysh se polici nuk ka çfarë të kërkojë me ligj në veri. Për këtë duhet të reagojnë organet kompetente”, tha Vuçiç
Vuçiçi ka theksuar se tani ka më shumë informacione dhe ka paralajmëruar se do të kërkojë që të shfaqen pamjet me dron se si është vrarë polici.
Sipas tij, vrasja e policit nuk ka qenë e planifikuar.
“Sigurisht që duhet të mbahet përgjegjësi për këtë, por vrasja nuk ishte e planifikuar. Siç qëndrojnë gjërat, ata vendosën barrikada, jo kurthe”.
Ai thotë se polici ka mbetur i plagosur pasi ka hasur në telat dhe eksplozivët që janë përdorur për lidhjen e automjeteve dhe vendosjen e barrikadave.
“Më pas ka pasur shkëmbim zjarri”, thotë Vuçiçi.
“Kjo nuk e zvogëlon peshën e aktit, por shpjegon natyrën dhe qëllimet”, thotë presidenti serb.
Thotë se nuk e dinte se çfarë donte ai grup, por se kishte informacion prej një viti se njerëzit po përgatiteshin për rezistencë.
“Këta njerëz jetojnë një jetë ndryshe, gratë e tyre keqtrajtohen çdo ditë, fëmijët e tyre keqtrajtohen çdo ditë, fëmijët e tyre po qëllohen, askush nuk po kryen hetime kundër atyre që tentuan të vrasin Dragisha Galjakun, Milan Jovanoviçin, Miljeviqin”, ka thënë Vuçiçi,