Nga Denis Dyrnjaja
Kreu i SPAK-ut Altin Dumani doli në konferencë shtypi për të informuar publikun për punën e Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Me thënë të drejtën prej shumë kohësh sa herë kam patur mundësi dhe është folur mbi aktivitetin e SPAK-ut, kam theksuar idenë që institucioni duhet të fillojë të komunikojë me publikun për veprimtarinë që kryen, duke dhënë informacion konkret e te saktë, natyrshëm duke ruajtur atë çka përbën sekret hetimor.
Edhe pse me vonesë reagimi erdhi dhe mesa duket do të kemi një qasje të re komunikimi të këtij institucioni. Dalja e z.Dumani për të dhënë shpjegime në parim është për t’u përshëndetur pasi çdo akt transparence vlen, por raportimi i shefit të SPAK-ut ishte shumë i përciptë dhe shumë i thatë. Shumë çështje të zhurmshme e plot interes për publikun që janë nën hetim, nuk morën përgjigje ose morën përgjigje evazive dhe të linin shumë pikëpyetje ose paqartësi. Po hetojmë dhe nuk mund të flas, apo nuk kam informacion, janë terma që nuk thonë asgjë për atë çka media dhe publiku është i interesuar.
Ose fjalia do ketë surpriza nuk i shkon për shtat një prokurori, aq më shumë kreut të prokurorisë më të fuqishme dhe autoritare në vend. Një përfaqësues i një instructioni të këtij profili flet me fakte dhe për fakte, jo për hipoteza dhe gjasa kur del për të raportuar. Është i kuptueshëm pozicioni i z. Dumani për të ruajtur diskrecionin e çështjeve në hetim, por nëse nuk je i përgatitur për këtë raport me publikun më mirë mos dil, se nuk i shkon kreut të organit të akuzës të thotë do të kemi surpriza, njëlloj sikurse bëjnë një pjesë e panelistëve nëpër studio televizive, që lëshojnë pa e vrarë mendjen lloj lloj deklarimesh për audiencë e famë. Për shumë ngjarje gazetarët nuk morën përgjigje, ose morën përgjigje pa përgjigje nga kreu i SPAK-ut.
Në disa raste të tjera përgjigjja ishte me suspancë, duke rritur pritshmëritë sikur çfarë do të ndodhë ose pritet që të ndodhë. Psh çështja më e ndjeshme, e debatuar dhe e diskutuar është ajo e inceneratorëve dhe në lidhje me ish zv/kryeministrin në kërkim nga drejtësia, kreu i SPAK-ut tha se pritet një surprizë duke i hapur rrugën skenarëve imagjinarë, fantazive apo edhe spekulimeve. Ndërkohë nuk tha përse shumica e zinxhirit vendimarrës për inceneratorët nuk është vënë ende nën hetim apo akuzë për përgjegjësi sipas angazhimit dhe pozitës në këtë çështje. Opinioni ka nevojë që institucioni të flasë me elementë bazikë dhe jo me shashka që krijojnë më shumë zhurmë dhe amulli sesa kthjelltësi.
Pas raportimit të kreut të prokurorisë së posaçme opinioni publik prapë mbeti pa përgjigje për fatin e jetës së Ervis Martinajt, çfarë dhe ku janë hetimet për çështjen e Gërdecit, çështjen ÇEZ-DIA, koncensioni i sterilizimit, apo shumë PPP-ra e VKM-ra me efekte miliona euroshe. Këto nuk janë çështje që kalojnë me përgjigje të përcipëta e të thata me nje fjali: kemi kërkuar informacion e presim përgjigje nga letërporositë e dërguara në shtete të tjera. Publiku ka pritshmëri që SPAK-u të hetojë pa dallim çdo individ për përgjegjësinë e vendimeve që kanë krijuar pasoja ligjore e dëme financiare.
Publiku do barazi para ligjit pavarësisht nëse ai quhet Edi Rama, Sali Berisha apo Ilir Meta kushdo qoftë pesha apo kontributi i tij. Ajo çka është kontribut dhe meritë mbetet e tillë, por ajo që ka të bëjë me abuzimin përmes pushtetit duhet të marrë një përgjigje ligjore dhe këtë përgjigje duhet ta japë SPAK-u me hetime, prova e fakte dhe jo me statistika formale e çështje ku ca hetohen si të nënës e ca si të njerkës. Këto do të dijë publiku nëse ka prokuroria e posaçme këllqe t’i shkojë kokave që kanë urdhëruar apo bekuar vendime e akte me dëme e pasoja për pasurinë e përbashkët publike apo edhe për pasoja me humbjen e jetës së njerëzve?! Pritshmëritë ndaj SPAK-ut nuk justifikohen me togfjalëshin do të kemi surpriza.
Çdo shtator dikush na kujton se priten arrestime dhe bomba të mëdha ligjore. Është ajo loja që ka mbetur hapur me peshqit e mëdhenj. Është bërë shtatori si muaji i përmotshëm i premtimeve butaforike ku lajmi më i fundit është se është shtuar edhe një portal më shumë në median online. Ai quhet www.spak.al. Tanimë mund të klikoni edhe në këtë faqe për skupe ditore, apo surpriza sikurse tha drejtuesi i saj.