Autori i njohur i hiteve italiane Mogol, mbajti këtë të enjte në Liceun artistik mbrëmjen muzikore ‘Emocione dhe jeta në këngë’. Në skenë performuan disa nga këngët e tij artistët e talentuar Alessandro Preziosi dhe Gianmarco Carroçia. Të tre artistët rrëfyen për Report tv impresionet për Shqipërinë, ndërsa Mogol ndali edhe tek përshtypjet për Kryeministrin Edi Rama, duke zbuluar edhe aspekte të tjera aktuale nga jeta e tij
Luajti tek ‘Eliza e Rivombrozës’, aktori i njohur italian në Shqipëri, Preziosi: I befasuar, zbulova shumë fansa këtu! Një film shqiptar?! Do pranoja ‘me vrap’
Anila Dedaj
Është rikthyer në Shqipëri dhe përshkon me entuziazëm koridorin e “Liceut Artistik’ për të rrëfyer në skenë “Emocione dhe Jetën në këngë” autori i hiteve italiane Giulio Rapetti, i njohur si ‘Mogol’.
“Unë kam një simpati të madhe për këtë vend, çmoj shumë kryeministrin tuaj, si një nga më të zotët në botë. Por vlerësoj shumë dhe Mimi Kodhelin, që ishte Ministre Mbrojtjeje dhe është sjellë gjithmonë në një mënyrë të jashtëzakonshme! Shqipëria është një vend mik, që na erdhi në ndihmë gjatë periudhës së izolimit nga COVID-19. Sollët në Itali mjekë që na ndihmuan, kështu që ndihem shumë afër këtij vendi! E përsëris, e shikoj me admirim të madh Edi Ramën dhe këtu ndihem si në shtëpinë time!”, shprehet Mogol.
Është 87-vjeç e ka shkruar mbi 1500 këngë. Në ‘backstage’, këtë të enjte, teksa presim të nis mbrëmja e tij artistike, e mbushur me tinguj e poezi, e pyesim për çelësin e suksesut afatgjatë si artisti me më shumë disqe të shitura pas ‘Beatles’ dhe Elvis Presley.
“Po 523 milionë disqe të shitura, jam i treti në botë, janë të dhëna zyrtare! Kjo më lumturon shumë, dhe ajo që mund të them është se ndihem një njeri me fat!”, shprehet më tej autori i njohur italian.
Këtë fragment sa artistik e shpirtëror, të jetës së tij skenike, që shpaloset në vendin tonë, e çel aktori i njohur italian Alessandro Preziosi…
“Erdha në Shqipëri gjatë perëndimit të diellit, pashë një diell të mrekullueshëm, drita shumë të bukura që ndriçonin gjatë mbrëmjes, semaforë shumë teknologjikë (qesh) dhe po e shijojmë këtë rast të mrekullueshëm! Shpresoj që edhe unë t’u lë shqiptarëve një përshtypje po aq të mirë!”, thotë aktori italian.
Këngëve që performohen, në sallën e kocerteve të tejmbushur me spektatorë, i paraprijnë tregime personale të autorit Mogol, si shkrimi i poezisë së ‘Arcobaleno’ të kënduar nga Çelentano, gjatë një rrugëtimi në makinë, për të, një inspirim gati hyjnor, që përfundoi me shfaqjen në qiell të ylberit…
“Të punosh me Mogol, për mua si aktor do të thotë, të punosh me një poet që shkruan… Në interpretimin e këngëve të tij, për mua angazhimi është i ngjashëm, me atë që bëj kur interpretoj Shekspirin apo Molierin. Unë e krahasoj me poetët e ‘900-ës, ndoshta kjo mund të duket e tepruar, por ndodh kështu vetëm se jemi mësuar ti mendojmë këta autorë si të paarritshëm. Por fakti që unë sot jam në një skenë me të, do të thotë që nëse ke synim të mirë, çdo gjë është e mundur”, shprehet Preziosi.
Apo më tej “Dormi amore” dedikimin për bashkëshorten Danielën (Daniela Gimmelli), ndërsa nisur nga diferenca prej 20 vjetësh, e grishte ndjesa se vdekja mund t’i ndante fizikisht…
10 këngë të tjera suksesi ia beson ‘nxënësit’ të tij, Gianmarco Carroçia, një prej kantautorëve më të talentuar italian, që e konsiderojnë për aftësitë vokale por edhe ‘lokun’ si sozinë e Lucio Battistit.
“E them gjithmonë, që mendoj se jam me fat, pasi kam pasur pranë vetes përpos se një poet të madh, edhe një njeri të madh, që më ka transmetuar shumë edhe në aspektin njerëzor. Gjatë punës me të ke gjithmonë se ç’të mësosh. Dhe të interpretosh këngët e tij është një nder i madh, por edhe një përgjegjësi e madhe, sepse ne kërkojmë ti këndojmë me të njëjtin respekt si artistët që i konceptuan e i kënduan. E gjitha kjo, që të arrijmë të përçojmë bukurinë e këtyre këngëve siç artistët e tjerë bëjnë me vepra të tjera të mëdha si ‘Komedia Hyjnore’ e të tjera”, shprehet Carrocia.
Nga “Un avventura’ te ‘Il tempo di morire”, publiku këndon bashkë me artistët hitet që mbajnë firmën e Mogol…
Poezia e tij, ka fituar miliona zemra në mbarë, globin, deri edhe vetë Papa Francescon, i cili i ka nis në një letër me autograf…
“Papa Francesco më ka nisur një letër shumë të përzemërt. Ku shkruan se libri im ‘Le ciliegie e le amarene’ një libër me aforizma është një manual mençurie. Dhe thotë, se si, veçmas një prej aforizmave që unë kam shkruar e bën të ndihet mirë. Dhe aforizma është e tillë ‘Njësoj si dy vëllezër të vegjël, vizatojnë nënën e tyre në dy mënyra të ndryshme, ashtu bëjnë edhe njerëzit me Zotin” , shprehet Mogol.
Dashuria për njerëzit, është jo vetëm manteli që mbulon tekstet e tij, por edhe në jetën reale. Së fundmi tregon se me bashkëshorten kanë ndihmuar dy familje ukrainase…
“Ndihmuam dy familje nga Ukraina që kishin ardhur në Itali, i njohëm përmes një miku tonë prift. Janë dy motra me fëmijët përkatës, u dhamë një apartament. Tani punojnë për ne, i paguajmë, kanë makinat e tyre e gjithçka që u nevojitet. Dhe është gëzim i madh që të shohësh se si këta njerëz që po vuanin kaq shumë, tani kanë rinisur të buzëqeshin… fëmijët kanë rimarrë lojën! “, tregon poeti.
Gëzimin që publiku njeh këngët e tij, dhe mirëpret historitë se si ‘u ngjizën’, e shton edhe lajmi i botimit të librit “La rinascita” ku është bashkautor.
“Unë tani po i dedikohem diçkaje me shumë rëndësi, që është shëndeti. Kam shkruar një libër të titulluar ‘La rinascita’ me Giovanni Scampagnini-n, një nga 20 mjekët më të rëndësishëm, ku u mësojmë njerëzve për atë çka u bën mirë dhe çfarë i dëmton, përfshirë shëndetin, mendjen, gjithçka. Pasi ajo që na vret është injoranca jonë, nëse ne dim çka na bën mirë dhe çfarë keq dhe marrim këtë kulturë, ne mund të jetojmë pa u sëmurur. DIçka që duket e pabesueshme, por është e vërtetë”, tregon Mogol.
Një figurë shumëdimensionale Mogol , ku kontributi i tij degëzohet, edhe në detyrën si Këshilltar për Kulturën, ku thotë se mund të bëjë më shumë.
“Po, ministri më deshi si këshilltar të tij, dhe unë deri tani më duhet të them se nuk kam pasur rastin ta këshilloj shumë. Dua të them që do ta takoj pas pak kohësh, ku edhe do ti shpreh idetë e mia. E megjithatë është diçka që e kam vlerësuar shumë. Më duhet të them se unë jam edhe shumë i kënaqur nga puna e Giorgia Melonit, që është një kryeministre e zonja”, thotë Rapetti.
Artistët thonë se gjëtën në vendin tonë një ‘oaz’ mikpritjeje.
“Ishte një ekspriencë e jashtëzakonshme dhe më duhet të them se unë mbeta i befasuar. Do të shkojmë edhe në Vlorë, dhe jam shumë entuziast që patëm mundësi të sjellim në tokën tuaj, artin tonë”, thotë Carroçia.
Preziosi, i njohur për publikun shqiptar për rolet e tij si tek ‘Eliza e Rivombrozës’ , është i befasuar nga admiruesit që hasi në këtë qëndrim të shkurtër.
“E vura re se shumë njerëz më njohin, më ndalojnë me mirësjellje. Të tjerë i vura re tek më shihnin sikur të kishim parë ‘Hulkun e pabesueshëm’, dhe kjo është diçka që të jep gjithmonë sodisfaksion”, thotë Preziosi.
Tregojnë se në largim do të mbajnë me vete një copëz Shqipërie, dhe do të mirëpresin bashkëpunime të tjera….
“Një film shqiptar?! Do ta pranoja me vrap!” tregon Preziosi.