Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siguria në Ballkan vijon të jetë një shqetësim. Një gjë të tillë e faktoi ditën e djeshme edhe një nga profesorët më të njohur amerikanë, George Friedman, i cili gjatë një deklarata për mediat vendase u shpreh se rajoni i Ballkanit nuk është aspak i sigurt. Në vijim të reagimit të tij, ai tha se për çdo situatë serbët kanë mbështetjen e rusëve, duke e bërë kështu situatën më të rrezikshme.
Profesori shtoi se Shqipëria mbështetet nga Amerika, ndërsa kroatët nga shteti gjerman. “Sot, rusët u “pëshpëritin” serbëve, amerikanët shqiptarëve, gjermanët kroatëve. Fshatrat dëgjojnë thashethemet, dhe ja ku fillojnë sherret. Ballkani nuk është vendi i vetëm në botë ku kjo ndodh, por s’ka vend tjetër në glob që të jetë kaq i rëndësishëm për kaq shumë fuqi të mëdha.
Prandaj, nuk është për t’u habitur pse ka gjithnjë zëra dhe thashetheme, se rajoni është shpesh në prag të luftës. Dhe nuk është për t’u habitur që thashethemet janë zakonisht të gabuara. Ato thjesht sigurojnë që të habitemi kur ato të dalin të vërteta”, deklaroi profesori amerikan.
Geroge Friedman nënvizoi se e ardhmja e Ballkanit nuk është shumë premtuese. Si një njohës i mirë i gjeopolitikës, ai është i bindur që fillimi i luftës në Ballkan është thjesht çështje kohe. “Është vetëm çështje kohe. Dhe ky është një rajon që pret luftë, duke e bërë atë të ketë më shumë gjasa të ndodhë.
Ndonjëherë luftimet midis fshatrave tërheqin në betejë në fshatra të tjerë, tërheqin kryeqytete, tërheqin fuqi të mëdha. Ndonjëherë fuqitë e mëdha që konkurrojnë me njëra-tjetrën, tërheqin kryeqytetet dhe fshatrat e Ballkanit”, u shpreh profesori amerikan George Friedman.
Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që personalitetet amerikane shprehen të shqetësuar për sigurinë në rajonin e Ballkanit, veçanërisht të atij Perëndimor. Edhe më herët ata kanë parë si shqetësim ndikimin e Rusisë në këtë zonë dhe shtrirjen e politikave të saj./Sot