Shkëlzen Berisha vazhdon të mbetet në ankth nga zhvillimet që pritet të vijnë nga drejtësia e re. Aktualisht në tryezën e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po hetohet dosja e “Gërdecit”, të cilat pritet t’i hanë kokën dhjetëra zyrtarëve dhe disa ish-ministrave.
Një ndër ta mund të jetë dhe djali i Sali Berishës, i cili mund të thirret si dëshmitar në SPAK. Në datën 3 tetor do të vendoset “fati” i tij pasi Gjykata e Posaçme shtyu procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për t’u shprehur në lidhje me provat e kërkuara nga palët.
Në seancën e djeshme, gjykata administroi kërkesën për prova të avokatëve mbrojtës të Mediut. Në listën e prezantuar edhe më herët, avokatët kërkuan gati 90 dëshmitarë, mes të cilëve personalitete politike të huaj dhe vendas, ish-ushtarakë të lartë të kohës, përfaqësuesve të SAC, si edhe të pandehurit e procesit të parë të çështjes “Gërdeci”. Mbrojtja kërkoi edhe pyetjen e ekspertëve, që kanë konkluduar mbi shpërthimin e 15 marsit 2008, kryerjen e një eksperimenti hetimor për shpërthimin, si edhe administrimin si provë të pamjeve filmike të shpërthimit të transmetuara në TV dhe një intervistë televizive të ish-ministrit Mediu, një ditë para ngjarjes.
Ndërkohë, avokati të dëmtuarve nga shpërthimi i Gërdecit kërkoi pyetjen si dëshmitarë të 12 personave, ish-drejtues të fabrikës së demontimit apo ushtarakë, si edhe Fiqiri Ismaili, ish-kryebashkiakut të Vorës të cilin Mediu e ka krushk. Nga ana e tij, prokurori i SPAK në sallë, Arben Kraja, i tha gjykatës se pyetja si dëshmitarë e personaliteteve të huaja politike, ish-ministra të mbrojtjes të vendeve evropiane, apo ish-zyrtarë të lartë të NATO-s nuk sjell dobi për procesin.
Çfarë thonë familjarët e viktimave
Hetimet mund të marrin kthesën e madhe pasi mes listës së dëshmitarëve që kanë kërkuar familjarët e viktimave, dallohen dy emra të rëndësishëm, ish-drejtuesit e kompanisë amerikane “AEY”, Efraim Diveroli dhe David Packouz, dëshmia e të cilëve mund të jetë shumë e vlefshme për gjykatën, pasi ata mund të rrëfejnë rolin e Shkëlzen Berishës në atë krim shtetëror që i mori jetën 26 personave të pafajshëm. SPAK ka çuar dhe një letër-porosi në SHBA për marrjen në pyetje të Diverolit. Ai ishte një trafikant armësh nga Florida.
Ai ishte presidenti i kompanisë “AEY”, e cila blinte municione kineze në Gërdec për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën 298 milionë dollarë. Me këto para, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kërkoi të furnizojë forcat afgane të sigurisë me municione, por Diveroli shkeli embargon e SHBA-ve ndaj municioneve dhe armëve kineze. Fishekët kinezë manipuloheshin me ambalazh tjetër në Gërdec.
Gjatë përgjimeve të Diverolit dhe Trebickës para shpërthimit të Gërdecit, Diveroli shprehet se në Gërdec janë implikuar Sali Berisha si kryeministër dhe Shkëlzeni, të cilët i konsideron si mafien më të fortë. Ndër të tjera, Efraim Diveroli shprehet se “…kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafia është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë…”.
*Lista me dëshmitarë që kërkon mbrojtja e familjarëve të viktimave
1. Spiro Zaka
2. Shpëtim Spahiu
3. Fiqiri Ismaili
4. Zija Bahja
5. Kristaq Arapi
6. Flamur Skrapalliu
7. Zenel Kuçana
8. Efraim Diveroli
9. David Packouz
10. Lavdi Shatro
11. Fiqiret Mato
12. Luan Duzha