Një incident ka ndodhur sot (2 tetor) jashtë ambienteve të Parlamentit, ku deputeti i PD Helidon Bushati ka shpërthyer ashpër ndaj protestuesve të “Lëvizja Bashkë”, të cilët ishin mbledhur para Kuvendit me thirrje ndaj deputetëve për të miratuar ligjin për minimumin jetik.
Deputeti Bushati ka qenë duke u futur në Kuvend, kur protestuesit i janë drejtuar me thirrjen ‘hajdut’.
“Zoti deputet do ta miratoni minimumin jetik?”, iu drejtua një protestues. Ndërsa një tjetër tha se “është duke bërë pazaret”.
Kaq është dashur që deputeti Bushati të “shpërthejë” ndaj protestuesve.
“Më tregoni mua pazaret, plehra! S’keni turp, s’keni, plehra, po na tregoni ju pazaret! Kush jeni, jua tregoj unë. Hajde ndonjëri këtu! Ua tregoj unë! S’keni turp, bëni përgjithësime”, dëgjohet t’u thotë ai protestuesve.