Juristi i njohur, Romeo Kara ka deklaruar se Sali Berisha dhe Ilir Meta janë keqbërës të mëdhenj politik, duke iu referuar dërgesës së letërporosive nga SPAK në SHBA, për të dy politikanët. Dje, në një intervistë televizive, Kara u shpreh se kreu i SPAK, Altin Dumani nuk ka nevojë për të dërguar letërporosi, pasi provat dhe faktet për Berishën e Metën janë këtu, por duhet më tepër interes për të hetuar.
“Për mua ata janë keqbërës të mëdhenj, me kostum politik, asgjë më tepër. Politikan i madh është ai që i hap perspektivë vendit dhe i siguron një të ardhme sa më të lumtur, më dinjitoze për vendin e tij. Ata janë keqbërës të mëdhenj, njerëz të vegjël dhe politikanë akoma më të vegjël, në perceptimin tim. Unë e shoh Dumanin si personin më pozitiv brenda kësaj strukture dhe kam një lloj entuziazmi për zgjedhjen e tij.
Mendoj se duhet t’i vazhdojë këto komunikime me shtypin. Mendoj që nuk ka nevojë, ai mund të ketë nevojë për raste të caktuara për letërporosi, por nuk ka nevojë, se i kemi këtu të gjitha faktet dhe bëmat e korrupsionit, por të ketë pak interes më tepër dhe t’i nisin gjërat kryesisht, nuk ka nevojë për kallëzues”, deklaroi ai. Ndërkohë teksa ka komentuar procesin në çështjen e ‘Gërdecit”, ai theksoi se ka ecur shumë ngadalë, dhe sipas tij, Shkëlzen Berisha, i biri i ish kryeministrit, Sali Berisha, duhet të ishte i pandehur, e jo të thirrej si dëshmitar.
Kara u shpreh se nuk ka pasur njeri guxim të merrej me këtë aferë dhe të bënte biznes të tillë me punëtore të pakualifikuar dhe për më tepër, në zonë rezidenciale.“I gjithë procesi po shkon me shumë ngadalësi, është peng i një perceptimi që, është arritje e madhe që personat që quhen të paprekshëm si familja Berisha, një prej tyre, Shkëlzen Berisha, më në fund po shkon dëshmitar.
Ndërkohë që e gjithë bota, në mjaft artikuj, në gjithë këto vitet e fundit, e kanë përmendur atë si kokën e korrupsionit, që qëndron pas kësaj tragjedie, pra që i ka paraprirë kësaj tragjedie. Unë nuk e kuptoj, për çfarë arsye ky nuk merret i akuzuar, por merret dëshmitar.
Pra, nuk na bën një nder të madh dhe nuk kemi ndonjë satisfaksion të madh sa po e shohim më në fund, të nderuarin Shkëlzen Berisha që po merret dëshmitar”, nënvizoi juristi i njohur, Romeo Kara.