Pas mbi një orë e 30 minuta është nxjerrë nga makina Viktor Ndreka, i cili ishte i bllokuar pas aksidentit. Dy makina u përplasën ‘kokë më kokë’ rreth orës 20:00, ndërsa 7 persona janë plagosur, 2 rëndë dhe 5 raportohet se janë jashtë rrezikut.
Mjetet e përfshira në aksident janë një ‘Fuoristradë’ ku udhëtonte familja Ndreka me 5 anëtarë që banon në Gurin e Zi dhe një ‘Benz’ me dy persona. Përplasja ka qenë e fortë dhe mjeti tip ‘Fuoristradë’ është spostuar duke përfunduar jashtë rrugës.
E ndërsa dy personat që ndodheshin te makina tip ‘Benz’ janë nxjerrë menjëherë dhe janë dërguar në spital, nga ‘Fuoristrada’ u nxor me shumë vështirësi nga zjarrfikësja pas rreth 90 minutash Viktor Ndreka. Report Tv solli pamjet nga vendi i ngjarjes në momentin që zjarrfikësja po punonte për të nxjerrë nga makina drejtuesin e ‘Fuoristradës’ Viktor Ndrenka.
Njëri nga fëmijët e familjes nga Guri i Zi, E. Ndreka 6 vjeç po transportohet në Tiranë, pasi ndodhet në gjendje të rëndë nga aksidenti, ndërsa kryefamiljari Viktor Ndreka ndodhet në spitalin rajonal të Shkodrës. Të plagosuri e tjerë ndodhen jashtë rrezikut. Shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia dhe mungesa e sinjalistikës.