“Po prisja me televizorin ndezur kur filloi seanca. E para gjë që më ra në sy është që ka shumë anëtarë parlamenti i Shqipërisë, gjysma e tyre duhet të jenë. E dyta, është që janë të dhunshëm. E treta, asnjë prej tyre nuk përfaqëson popullin. Parlamenti çdo ditë të vitit duhet të diskutoj hallet e popullit, nuk është ditë e caktuar sot.
Por duke mos qene përfaqësues të popullit, por të partisë dhe kryetarit, kuptohet që hallet e popullit nuk vijnë kurrë në kuvend. Kur qe puna për të amenduar ligjin për rritjen e pagave të administratës, po ky parlament për pak orë i dyfishoi rrogat e deputetëve, lidhen dhe bien dakord kur është interesi i tyre, kur është puna të diskutohen hallet e mëdha të popullit ja çfarë ndodh dhe nuk është një rast i vetëm.
Është krijuar një situatë e tillë, më vjen keq që e them, por është turp të jesh deputet, kushdo të tregon me gisht, nuk përfaqëson vërtetë askënd, as ide nuk diskutohen, as probleme të mëdha nuk sillen. Ligjet që kalojnë shumica nuk i dinë se cilat janë. Kurse të mbrosh sot, siç janë një grup deputetësh, Sali Berishën, që e kam quajtur vite më parë, një fatkeqësi për këtë vend, nuk e kuptoj se çfarë duhet të jesh që t’i dalësh në krahë. Në një shkrim të fundit, i kam quajtur ‘spartanët e vendosur për të mbrojtur liderin e tyre’, por nuk të çon asgjëkundi ajo rrugë. Lere sistemin e drejtësisë të bëjë punën e vetë dhe njeriu për atë që ka bërë, do të marri atë që meriton”.
Kështu u shpreh diplomati Fatos Tarifa, në “Real Story”.