Nga Mero Baze
Zakonisht pas moshës gjashtëdhjetëvjeçare, fëmijët adaptojnë një kujdes të posaçëm për prindërit. Kujdesen për qetësinë e tyre, për shëndetin, për emrin e mirë që duhet të lënë në shoqëri, për shuarjen e problemeve që mund të kenë krijuar gjatë jetës dhe çdo gjë që ka lidhje me trashëgiminë e tyre.
Vajzat shqiptare madje, pak më shumë se djemtë.
Ky rasti i Argitës dhe Shkëlzenit është paksa i veçantë jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta dhe në botë. Ky është i vetmi rast kur babi i tyre tetëdhjetëvjeçar, nxitet prej tyre të dalë rrugëve të mbrojë ata, të kujdeset për të shpëtuar çfarë ata kanë bërë gabim në jetë, të mbyllë historitë e korrupsionit të tyre, të mbyllë armiqësitë që lidhen me vrasjet e prodhuara për të vjedhur, si në Gërdec, apo dhe më keq, të paguajë qoftë dhe me jetë për ta.
Në fakt çdo prind e ka ndjenjën për të sakrifikuar deri në vdekje për fëmijët, por janë fëmijët ata që bëjnë diferencën dhe pas një moshe të caktuar sakrifikojnë për prindërit.
Argita dhe Shkëlzeni, dy fëmijët e Sali Berishës, hyjnë tek ajo kategori, që me sa duket nuk kanë mëshirë për babain e tyre. Janë gati ta shikojnë të përbuzur, të tallur, të fyer, të poshtëruar dhe mbi të gjitha, të dënuar për shkak të tyre, mjafton që ata të gëzojnë ato që kanë vjedhur.
Intervista e Argita Berishës tek Grida Dume, rrezatonte këtë mungesë mëshirë të vajzës për babain plak dhe burrin e saj në burg, të cilët në fakt të dy po paguajnë etjen e saj për pasuri dhe paaftësinë e saj edhe si juriste, për të fshehur gjurmët e krimeve të saj në pushtet.
Grida Dume ishte munduar të bënte gjithçka për ta portretizuar siç nuk është, dhe për këtë meriton të paguhet më shumë se Genc Gjokutaj si avokat, por nga ana tjetër, pavarësisht dëshirës së saj për të shërbyer si grimiere e Argitës, i ka bërë një shërbim të madh publikut, pasi ajo Argita që foli në studio me atë Argitën që vizatoi Grida, ishin dy njerëz që nuk kishin asnjë lidhje.
Shfaqja e saj publike ishte një ngjarje e rëndësishme, pasi ka thyer disa mite të përhapura nga vet familja Berisha, në përpjekje për të lënë një trashëgimi politike tek vajza e tyre, meqë me nuset nuk u ka ecur.
Miti i parë është “miti i profesionistes”.
Unë kam qenë ndoshta i pari që e kam njehur si juristen më të paaftë që kam takuar në këtë vend, madje dhe nga ata të plepave, por kjo ka qenë e vështirë t’i bindje njerëzit kur ajo ishte në pushtet dhe u merrte një taksë mujroe bizneseve të mëdha për “këshilla”, që ata të kalonin pengesat, duke thënë kemi avokate Argitën.
Shumë prej tyre pak nga pak e pranonin në kofidencë që thjesht e paguajnë dhe nuk punojnë me të. Dje kur ajo kishte hallin më të madh të jetës së saj, nuk dinte të sillej dot së paku si juriste, por imitonte gjuhën vulgare të babait të saj, fjalorin e kufizuar që komplekset e saj të brendshme, qoftë dhe për të buzëqeshur, e rrudhin edhe më dhe e bëjnë gjuhë të shpifur. Nga goja e një gruaja të pjekur dëgjoje fjali vulgare, nga ato që Sali Berisha i thotë për militantët e Bathores në fund të mitingut kur nuk ka çfarë thotë.
Shterpësia e saj profesionale si juriste nuk vjen vetëm nga fakti se nuk ka çfarë thotë për dosjen e saj korruptive, por mbi të gjitha se ajo nuk ka menduar si juriste kur ka vjedhur, dhe nuk ka si mendon tani pasi është kapur. Ajo ka menduar gjithnjë si vajzë e babait dhe tani po përpiqet të mbrohet si vajzë e babait.
Dhe në këtë pikë, Grida meriton një lavdërim që ua bëri këtë nder atyre që kishin iluzion e se njerëzit që nuk flasin janë të mençur.
Jo!
Në shumicën e rasteve ata nuk dinë të flasin dhe Argita është një ilustrim perfekt i injorantes dhe femrës vulgare në fjalor. Është një Sali mashkull, me ndryshimin se Saliu është aktor dhe e di për kë flet. Ajo ka keqkuptimin se Saliu mendon ato që thotë dhe ndryshe nga Saliu, ajo i beson ato broçkulla.
Dhe këtu shkojmë tek miti i dytë i familjes Berisha, si familje harmonike.
Në fakt ajo është familja më hipokrite në trojet shqiptare. Në një familje ku babi ul çdo mbrëmje në tryezë djalin, vajzën, nipat e mbesat, gruan dhe kunetërit e baxhanakët, dhe flet si në fjalim fushate, u imponon hipokrizinë dhe demagogjinë si mjet komunikimi dhe kërkon që dhe para tyre të sillet si i pari i vendit, është një familje hipokrite, ku nuk pritet që fëmijët të kenë mëshirë për babain si prind, por vetëm ta shikojnë atë si të parin e vendit, që mund t’i shpëtojë ata derisa të vdesë.
Argita është pjesë e Berishës, mendja dhe gjuha e saj komandohen nga truri i Berishës. Kushdo që ka pritur një të “vërtetë” tjetër prej saj, nuk mund të jetë veç naiv i pandreqshëm. Kushdo që ka pritur të dallonte brerje ndërgjegje, reflektim, pendese, ka harxhuar kohën kot. Kushdo që ka shpresuar të shihte atë filizin e politikës berishjane, ka dalë i humbur pa shpëtim.
Argita, si përfituese e korrupsionit të Berishës, nuk ndahet dot nga afera, por dalja e saj publike jo nga pozicioni i gruas, i familjarit të prekur, por nga pozicioni i akuzatorit të drejtësisë së re, dalja për t’i bërë në darkë SPAK-ut të njëjtin gjyq që Berisha ia bën çdo ditë në drekë, ishte zhgënjyese për gjithë dashamirësit. Argita doli në media si pjesë e trupit të Berishës, jo si vetvetja
Në atë familje njeriu më normal është Sali Berisha, pasi vetëm ai e di që shtiret me të tjerët.
Të tjerët e dinë se ai e ka detyrë t’i bëjë të pasur, të pushtetshëm dhe të paprekshëm, sa të jetë gjallë. Madje dhe pas. Dhe kjo rrezatohej qartë tek gjithë argumentet politike që Argita kishte, në vend të argumenteve juridike për një nga historitë më spektakalore të kapjes së shtetit në Shqipëri, që është rasti i grabitjes së pronave të Klubit “Partizani”.
Të tjerët në atë familje janë ose hajdutë, ose hipokritë, ose injorantë dhe njerëz me komplekse inferioriteti. Perveç Arminës.
Miti i tretë që theu Argita Berisha me shfaqjen e saj publike, është raporti me të vërtetën. Më e pështira ishte kur foli për Lulzim Bashën dhe faktin që ajo nuk ja ofroi atë Sali Berishës, por thjeshtë më 2005, ai vet kishte kërkuar ta prezantonte me Berishën.
E vërteta është se Lulzim Basha e njeh Sali Berishën siç e kanë pohuar të dy, qysh nga viti 1991.
Në vitin 1993, Sali Berisha është një nga dy rekomanduesit për bursën e Lulzim Bashës në Holandë dhe në formularin e Lulzim Bashës në Utreht, emri i Sali Beishës si president i Republikës është depozituar si garantues i integritetit tij si student dhe i kishte lejuar Universitetit të Utrehtit ta pyesnin për të. Pra Luzlim Basha ishte një njeri që Berisha po e ndiqte dhe në rrugën e tij për t’u arsimuar.
Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë mbajtur kontakte në vitin 1997 e më pas dhe në vitin 2004, kur u hodh ideja e KOP, ai ishte në krye të listës nga Sali Berisha.
Ishte e vërtetë që ai punonte në atë kohë me Argitën në Kosovë, madje dhe burrin e saj, por edhe kjo ishte fryt i lidhjes së mëparshme që kanë pasur, lidhje që Berisha përpiqej ta mbante fshehur nga ne të tjerët, por ja ndaj Argitës.
Ai u ftua nga Berisha për të qenë në krye të KOP jo si një rekomandim i rastit, por si fryt i një lidhje të gjatë konsoliduar mes tij, Berishës dhe vajzës së Berishës.
Nuk ishte rekomandim, ishte më shumë se aq. Ishte një ide e pjekur prej kohësh. Argita Berisha nuk ka pse të gënjejë në mënyrë të shëmtuar nga komplekset që ka nga thashethemet që dëgjon për veten rreth këtij raporti.
Lulzim Bashën e kam pritur në Tiranë më 2004 me rokomandim të Berishës për t’u njohur me të si njeriun që drejtonte KOP. Jo më 2005, por më 2004.
Më 2005 ai ishte de fakto njeriu i dytë në PD, në hije, aq sa desh çmendi gjithë PD-në e vjetër.
Gënjeshtra pa stil e Argitës për Lulzim Bashën dhe gjithë qeverinë e vitit 2005- 2013, që në fakt u mbush me shokë e shoqe të Argitës e Shkëlzenit, tregon se ajo është një mashtruese ordinere pa fantazi, që nuk di të pranojë asnjë të vërtetë në jetë, nëse ato nuk i shërbejnë për momentin.
Dhe kur në një dalje publike ku njerëzit kërkojnë të vërtetën, të gënjesh për çdo gjë, madje dhe për kohën kur ke njohur Lulzim Bashën, natyrisht që nuk mund të bindësh askënd se po thua të vërteten për grabitjen e Klubit “Partizani”.
Dhe në fund, ajo donte të krijonte mitin e të vetëndjerit si pasardhëse e babait në PD, por që nuk do t’i bëjë hije babait sa të jetë gjallë.
Në fakt PD nuk vuan nga fakti që ka kryetar Sali Berishën si politikan, por vuan dhe është copëtuar nga fakti që Sali Berisha, Argita dhe Shkëlzeni, janë të damkosur si “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, dhe kurrë nuk mund të drejtojnë më një alternativë politike në Shqipëri.
Ata janë një alternativë dhe lëndë e parë vetëm për drejtësinë shqiptare dhe ndoshta dhe për hakmarrjen e ndokujt që shikon se drejtësia s’po bën punën e saj.
Argita Berisha dhe vëllai i saj, ashtu siç nuk mund të gëzojnë pasuritë e vjedhura të shqiptarëve, nuk mund të gëzojnë as PD, që Berisha po përpiqet t’ua vjedhë demokratëve dhe t’ua japë fëmijëve për t’i mbrojtur nga drejtësia.
Fati i saj i keq është që ka vjedhur si juriste pa qenë juriste, ka bërë politikë pa qenë politikane, dhe në fund, e mësuar të jetë vajza e presidentit dhe kryeministrit, ka harruar të jetë vajza e Sali Berishës dhe po e telendis atë në pleqëri rrugëve për hallet e saj dhe vëllait të saj.
Është i vetmi moment që ndjej keqardhje për Sali Berishën. Mos të rënçin në pjesë fëmijë të tillë.