Pavarësisht sulmeve ndaj prokurorëve të SPAK, manovrave me procedurat dhe mbrojtjes politike, ish-kryeministrin Sali Berisha duket se presin telashe me drejtësinë sa takon aferës së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, ku “non-grata” po hetohet për korrupsion pasiv, ndërkohë që dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi ndodhet në burg për korrupsion dhe pastrim parash për këtë dosje.
Por për këtë çështje sensitive, ka folur edhe juristi i njohur, Kreshnik Spahiu. Duke komentuar mos paraqitjen në SPAK të ish-kryeministrit, juristi Spahiu theksoi gjatë një prononcimi për mediat se në këto raste oficeri i policisë gjyqësore ka detyrimin për të njoftuar prokurorinë çështjes për mos paraqitjen e personit, në këtë moment prokuroria duhet të paraqesë një relacion në Gjykatë, për të thënë që masa e marrë ndaj subjektit, nuk është respektuar.
Sipas juristit, ligjit në këto raste mund të kërkohet një masë më e rëndë, masa e arrestit shtëpiak, ose masa e arrestit me burg. Spahiu bëri edhe një parashikim nëse do merret apo jo një masë më e rëndë për Sali Berishën. “Unë parashikoj se këta nuk do të bëjnë ndryshim të masës së sigurimit. Sali Berisha sot ende nuk figuron me një akuzë të komunikuar. Si e parashikoj unë, këta do i fusin një të mbyllur hetimit dhe brenda një muaj, do mbyllin hetimin dhe do ia dërgojnë çështjen do i kalojnë për gjykim gjykatës.
Berisha do shkojë i lirë para gjykatës dhe do fillojë gjykimi i çështjes. Berisha mbase nuk do të marrë pjesë vetë, por me anë të avokatëve do kërkojë që çështjen ta mbyllë me pafajësi”,deklaroi juristi Spahiu, duke paralajmëruar kësisoj telashe për Berishën që bën të fortin me drejtësinë dhe fshihet pas zhurmës mediatike dhe procedurave për këtë çështje.
GJKKO nxjerr blof Berishën
Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme ka rrëzuar argumentet e Sali Berishës dhe të avokatëve të tij sa i takon çështje së imunitetit. Berisha pretendon se gjykata dhe SPAK kanë shkelur Kushtetutën duke vendosur masë sigurie ndaj tij dhe duke i bllokuar pasaportën, pasi ai ka imunitet deputeti. Berisha kapet te neni 73 i Kushtetutës, i cili shprehet:
“Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria ne çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”. Por dje Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimin për masën e sigurisë kundër tij dhe hedh poshtë të gjitha argumentet. GJKKO shprehet se nuk kemi të bëjmë me heqje lirie, por me kufizim të saj. Sipas gjykatës, nuk ka arsye që të kërkohet në Kuvend heqja e imunitetit për Sali Berishën.
“Për këto të drejta të tjera themelore, nuk parashikohet pasja e imunitetit të deputetit dhe prandaj nuk është e nevojshme dhënia e autorizimit paraprak nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Masat e caktuara nga gjykata nuk kanë cenuar lirinë personale dhe në kuptim të ligjit procedurial përbëjnë “masa të tjera” për të cilat shprehimisht nuk kërkohet autorizimi paraprak i Kuvendit.
Masa e sigurimit personal e detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore dhe masa e ndalimit për të dalë jashtë shtetit të dhëna ndaj personit nën hetim Sali Berisha, nuk përbëjnë ‘heqje të lirisë personale’ por një ‘kufizim të lirisë për të lëvizur jashtë shtetit”, shprehet GJKKO. Madje për këtë rast, citohet edhe një raport i Komisionit të Venecias në Strasburg 2014, dhe vendimi i gjykatës së Strasburgut për çështjen De Tommaso, që thekson se liria personale dhe ajo e lëvizjes, janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Gjykata e Posaçme: Kontakti me ish-kryeministrin i pamundur
Por teksa Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv” me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, Gjykata e Posacme në vendimin e zbardhur tregon kalvarin që kanë kaluar oficerët për t’i dorëzuar atij vendimin fillestar të masës së sigurisë.
Sipas procesverbalit ”Për ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për vendimin Nr. 112 Akti datë 20.10. 2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë për shtetasin Sali Berisha”, datë 22.10.2023, është marrë informacioni nëpërmjet mediave se shtetasi Sali Berisha kishte njoftuar një konferencë për shtyp në orën 21.00 në selinë e Partisë Demokratike. Oficerët e policisë janë afruar afër këtij ambienti dhe kanë pritur mbarimin e konferencës për shtyp me qëllim kryerjen e ekzekutimit të vendimit.
Më tej theksohet se Berisha ishte brenda ambienteve të selisë Partisë Demokratike, por oficerët e policisë gjyqësore ishin në pamundësi të identifikonim zyrën ku ndodhej ai dhe kanë qëndruar pikërisht tek zyra e shtetasit Flamur Noka. Sipas GJKKO, rreth orës 00.10, nga shtetasi Flamur Noka, i është komunikuar se nuk mund të qëndronin dot me në seli pasi nuk mund ta takonin shtetasin Sali Berisha, duke qenë se vendimi ishte ne shkelje te Kushtetutës dhe si i tillë nuk mund t’i komunikohej.
Sakaq, gjykata ka bërë përpjekje edhe për njoftimin e Berishës për paraqitjen në seancën gjyqësore që do të zhvillohej në datën 24.10.2023. Sërish dera nuk u është hapur dhe ata e kanë futur njoftimin poshtë derës së banesës. Oficerët janë përpjekur të përmbushin detyrën e tyre duke shkuar në selinë e PD-së dhe në Kuvend, por njoftimi nuk është pranuar nga asnjë prej punonjësve që ishin aty.