Kombëtarja shqiptare e futbollit luan dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Europianin 2024. Të parët në grupin E, kuqezinjtë e Sylvinhos kërkojnë vetëm një pikë për të qenë zyrtarisht mes 24 ekipeve pjesëmarrëse në finalet e Gjermanisë.
Më datën 17 nëntor, tanët udhëtojnë për në Moldavi, ndërsa më 20 nëntor presin në Tiranë kombëtaren e Ishujve Faroe. Teksa duket se gjithçka është në rrugën e duhur për kualifikimin, shqetësim për stafin janë dëmtimet. Mes emrave të lënduar është edhe ai i Armando Brojës.
Sulmuesi i Chelsea ende nuk është bashkuar me ekipin londinez për ndeshje, duke vuajtur një problem në gju që e mbajti jashtë fushës së blertë për nëntë muaj. Qysh pas emërimit të Sylvinhos në krye të ekipit Kombëtar, më 2 janar të këtij viti, Broja nuk ka qenë asnjëherë nën urdhërat e brazilianit.
Në grumbullimin e fundit, Broja ishte pjesë e listës dhe udhëtoi drejt Tiranës, aty ku pësoi një lëndim që po e mban jashtë për afro një muaj tjetër. Nesër në 12:00 trajneri do shpallë listën me 25 emrat e ftuar për dy ndeshjet e radhës, me Brojën që pritet mos jetë në të.
22-vjeçari vijon të stërvitet me Chelsea, teksa Pochettino nuk e ka grumbulluar për ndeshjet zyrtare, dukshëm për shkak të lëndimit që ende nuk është lënë pas.
Fakt është se Broja nuk ka qenë pjesë e skuadrës për këto kualifikuese, në të cilat tanët kanë bërë një paraqitje të shkëlqyer dhe që janë pranë arritjes së dytë në fazën finale të Europianit, pas “Francë 2016”.
Me Brojën që duket si një mungesë luksi dhe me Kumbullën të dëmtuar, në stafin kuqezi janë optimistë se rikthimi i sulmuesit në formë do jetë një plus për fazën e avancuar në Gjermani. Deri verën e 2024, atëherë kur luhet edhe Europiani, duket se Broja do jetë riaftësuar dhe kapur formën e tij për të dhënë një kontribut të vyer me fanellën kuqezi. Fundja, djaloshi me origjinë nga Malësia e Madhe është lojtari më me vlerë që kemi, shifra e të cilit në treg kap shumën e 28 milionë eurove.
Megjithëse kuqezinjtë kanë pasur mungesën e Brojës për kualifikueset dhe Euro 2024 pritet ta sigurojnë pa të, duket se sulmuesi i Chelsea e ka lënë “shpërthimin” për në Gjermani.