Nga Frrok Çupi
Në ekranin e televizionit Euronews, ‘Erla Now’, parmbrëmë, u shfaqën pesë vetë që nisën të ndiqnin gjurmët e njërit. Ky njëri tha se ‘dy të fortët (Berisha dhe Meta) duhet të ruajnë kokat e tyre’.
-Si t’i ruajnë- u dëgjua dikush prej tyre?
-Ka shumë mënyra- tha ‘ky njëri’ Arjan Çani, që printe idenë
Dhe pastaj u dëgjua retorika: ‘Vrasje me pagesë’?
-Di që në Greqi, Itali e ku di unë, e kanë bërë. ‘Kur Drejtësia merr revansh’, atëherë vriten, la të nënkuptuar.
‘Rreth nesh ka shumë burra që e kanë bërë- tha Çani- këtu nuk ka burra’.
Pastaj tha se ‘ushtarët e Drejtësisë duhen bërë mbrapsht’.
Sepse këta (prokurorët e gjykatësit e SPAK- autori) janë ‘kamikazë’.
-Kush është ky kamikaz që dënon pa prova?- pyeti me nerv Arjan Çani.
Arjani i vuri vulën Drejtësisë, SPAK, GJKKO, BKH, se ‘dënojnë pa prova’. I quajti edhe kamikazë. Tha edhe se ‘nuk ka e as do të ketë Drejtësi të pavarur’. Po ‘shtet, kush të tha se ka?’.
Opa!, që nga ekrani u bë gati terreni për ‘secili kundër secili!’. Më të fortët të ruajnë kokën dhe të vrasin të tjerët, nisur nga prokurorë e gjykatës… Shtet nuk ka!’, tha Çani në ekran, prandaj bjeruni si në xhungël (!), vrisni, veç ruani Berishë e Metë.
Ky u shfaq si modeli që të hetuarit nga Drejtësia, të ‘ruajnë kokën’.
Si do të bëhet- u shtrua pyetja?
Çani u mblodh pak, por u lëshua më shumë kur u përgjigj me kode:
‘Mos më bëni të flas, ju e dini çfarë mendoj unë; por shikoni në Google si kanë bërë të tjerët’, tha, teksa kishte përmendur Greqi e Itali.
Çfarë ka në Google mbi vrasjen e prokurorëve?
“Më 23 maj 1992 në Siçili, Itali, Gjykatësi më i njohur italian i anti-mafias, Giovanni Falcone, gruaja e tij dhe tre truprojat vriten nga klani i Cosa Nostra-s Korleonesi me një bombë prej gjysmë ton lëndë shpërthyese.
Miku dhe kolegu i tij, Paolo Borsellino do të vritej më pak se dy muaj më vonë, duke e bërë vitin 1992 një pikë kthese në ndjekjen penale të mafias italiane.
Kush ishte Giovanni Falcone, simbol i luftëtarit pa kompromis kundër mafies?…”
Kjo është ajo çfarë shkruhet në Google dhe çfarë mban mend tragjikisht historia e re e Qytetërimit. Këtë model sjell, me siguri, vetë gazetari Arjan Çani.
Ka kohë që po kërkohet:
-Ku janë ata, që kërcënojnë prokurorët dhe gjykatësit? Të gjithë kthejnë kokën drejt njëri tjetrit, por “Ujku bredh në kalë’. Atëherë kur fshatarët dëshmonin për ‘Ujkun’ nuk kishte televizione; tani në ekrane kërcënohet Drejtësia, shteti dhe prokurorët.
Kanë ndryshuar vetëm mjetet:
Arjan Çani përdor mjetet e komunikimit publik dhe lëshon thirrje për të vrarë ‘kamikazët’ prokurorë e gjykatës. Ky fshihet pas ‘fjalës së lirë’ dhe denigron të Drejtën, shtetin dhe shpesh herë kombin shqiptar. Të tjerë fshihen prapa imunitetit parlamentar, disa të tjerë fshihen në manastire, dikush prapa ‘madhështisë’, të tjerë në kisha e në xhami…
Kanë ndryshuar varësitë dhe vlerat:
Çani është një trumbetues i idesë se këtu mes nesh nuk ka vlera, ‘nuk ka e nuk do të ketë Drejtësi’. Në pranverë 1994, një komando greke e lidhur me grupet terroriste, hyri në tokën shqiptare dhe vrau oficerin e ushtarin shqiptar të ruajtjes së kufirit. Ushtarët shqiptarë ishin lënë me pushkë druri, ndërsa të tjerët të armatosur deri në dhëmbë. Ideja se ‘ky vend nuk ka vlera’, madje ‘as jeta e njeriut nuk ka vlerë’ kishte nisur të rrënjosej. Çani e shtron në ekran idenë se ‘shqiptarët janë demode’..
Ka ndryshuar edhe pasuria:
Cila është lidhja mes pasurimit të menjëhershëm ( si Çani) dhe thirrjes kundër Drejtësisë? Qoftë edhe nga gazetarët, manastiret, xhamitë, klanet, mafia, etj? Këta ndodhen ‘ose në kalë’, ose ‘në vila milionëshe’. Gazetar me vila e pasuri?!, pyeste e tmerrohej Indro Montaneli. Gazetari Bledi Mane, po në ekran i kishte thënë Çanit: ‘Ç’është kjo punë, shan shqiptarët dhe pasurohet në Shqipëri?…’
Po sa vlerë kanë krahasimet në letra?!
Pyetja më e shkurtër është kjo:
Kur do të mbyllen ekranet që lëshojnë thirrje për terrorizëm?
Kur do të vihet Arjan Çani nën akuzë për thirrjen ‘vrasjen prokurorëve’? Pse nuk arrestohet menjëherë nga Policia?
Apo pse ndodhet ‘në manastirin’ e gazetarisë?