Sezoni i ri në fakt i ka dhënë Interit dhe trajnerit Inzaghi një lojtar të rigjeneruar në krahasim me sezonin e kaluar dhe në rritje marramendëse, pas stërvitjes së tij nën hijen e Brozovic (më parë) dhe Calhanoglu (sot).
Evolucioni dhe kërcimi në cilësi i Kristjan Asllanit janë evidentuar në paraqitjet e tij të fundit, të mbushura me lojëra vendimtare, nota të larta dhe fjalë mjalti nga trajneri zikaltër, i cili nënvizoi cilësitë e tij “të rëndësishme” dhe “aplikimin e shkëlqyer”.
Paraqitjet e shkëlqyera kundër Romës dhe Salzburgut, të kombinuara me një sërë paraqitjesh bindëse dhe pa të meta në 10 herët, në të cilat deri tani është hedhur në fushë mes kampionatit dhe Champions League, kanë përmbysur plotësisht perspektivat e ish-lojtarit të Empolit. Kjo, krahasuar me një vit më parë dhe gjithashtu me verën e kaluar, kur ishte pranë lamtumirës.
PERSPEKTIVA TE REJA – Sot, Interi ka nisur të korrë përfitimet e “bastit” të vënë, duke marrë shqiptarin nga Empoli për një shumë totale prej 14 milionësh (4 milionë për huazimin, plus 10 të tjera për blerjen e përhershme). Një “bast” i cili, herë pas here, dukej gati si “kumar” nën dritën e kritikave dhe gjysmëdështimeve, pas përgatitjes së shkëlqyer verore, e cila në mënyrë të pashmangshme kishte rritur pritshmëritë.
Ata që menduan se Asllani do ta merrte menjëherë komandën e mesfushës së zikaltërve dhe të zëvendësonte Brozovic, u zhgënjyen shumë shpejt, sepse, pavarësisht disa ndezjeve, në janar kishte ende nga ata që nënvizonin vështirësitë e tij në diktim të ritmit, në menaxhimin e topave të nxehtë dhe në ndryshimin e ritmit.
Te shqiptari kishte cilësi të dukshme, që nga vizioni i lojës e deri te preciziteti i gjuajtjeve, por thuhej se ishte ende tepër i papjekur, i ndrojtur dhe pa vazhdimësi. Në mars, Asllani dukej se ishte pothuajse i zhdukur nga radarët, me vetëm 555 minuta në fushë dhe një rol ende të pa përcaktuar mirë mes mesfushorit dhe “regjisorit”. Gjatë gjithë kohës, Calhanoglu u imponua në “dhomën e kontrollit”, duke marrë trashëgiminë e Brozovic.
Në verë, madje qarkulluan thashetheme për transferimin dhe, në ditët e fundit të negociatave, lamtumira ishte hipotezë konkrete kur Interi dhe Sassuolo menduan për shkëmbimin që do të kishte përfshirë Maxime-Lopez. Në fund, megjithatë, mbizotëroi dëshira për të vazhduar bashkë, me sigurinë se sezoni i ri do të shënonte kërcimin e pritur në cilësi të Asllanit tek Interi.
TITULLARI SHTESË – “Kam folur me menaxhmentin dhe jam i lumtur që kam qëndruar”, – tha Asllani në fillim të shtatorit, dukshëm i nxitur edhe nga besimi i marrë prej trajnerit dhe drejtuesve. Nga ana tjetër, siç zbuloi drejtori sportiv Ausilio më pak se dy javë më parë, rreth shqiptarit ka një projekt specifik, Interi vazhdon t’i besojë dhe punon për të:
“Asllani u mor sepse ne besojmë se është i rëndësishëm, por si të gjithë lojtarëve të rinj, edhe atij i duhet kohë. Ne gjithashtu e shitëm Brozovicin për t’i dhënë më shumë hapësirë shqiptarit, ne besojmë shumë tek ai”. Lajmet nga ky fillim sezoni konfirmojnë synimet e drejtuesve dhe reagimin aktual të shqiptarit në fushë.
Një vit pas paraqitjes katastrofike ndaj Romës (e cila përfundoi me humbjen 2-1 në shtëpi), tashmë është bërë faktor te zikaltrit, frymëzues. Goli i fitores kundër verdhekuqve, me një pasim të saktë në distancë për Dimarco; pak ditë më vonë, në ndeshjen kundër Salzburgut me rezultatin 0-0 dhe një shfaqje personaliteti për të kontribuar në suksesin në minutat e fundit, kompletuar me një gol që humbi nga skaji i zonës.
Më parë, gjithashtu vendimtar në goleadën e Salernos, e cila u mundësua pas hyrjes së tij në fushë (së bashku me Lautaro). Shqiptari iu “besua” mësimeve të Calhanoglu dhe, pas një vere studimesh intensive, gjeti formën e duhur sportive, aq sa fshiu çdo keqkuptim taktik. Nga 9 paraqitjet në fushë, që nga fillimi i sezonit të Serie A, Asllani ka hyrë gjithmonë në vend të turkut për të marrë drejtimin e lojës, për më tepër pa dështuar asnjëherë.
“Jam i lumtur që mund të stërvitem çdo ditë me një kampion si Calhanoglu, mësoj shumë prej tij”, – pranoi pak ditë më parë shqiptari, i cili me 188 minuta lojë të grumbulluara në 15 ndeshjet e para, ka kaluar efektivisht holandezin Klaassen në hierarki, i shënuar në letër si mesfushori i pestë dhe zëvendësuesi i parë për turkun.
Nëse ka nevojë për t’i dhënë një frymëmarrje Calhanoglu, sot Inzaghi nuk ka dyshime për fokusin te shqiptari. I cili pas një viti praktike po dëshmon se është i aftë të veshë fanellën e zikaltërve dhe se mund të marrë “frenat” e mesfushës së të ardhmes.