Të gjithë po presin arrestimin e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Për ish-kryeministrin çdo gjë është e mbyllur pasi “ia dogjën” pasaportën, por edhe ish-presidentin e presin lajme të hidhura pas shfaqjes së fundit në dyert e SPAK.
Dy dosjet e tij penale më të nxehta, lobimi dhe CEZ-DIA janë gati të shpërthejnë dhe karta e fundit e azilit e Ilir Metës për të shpëtuar nga një arrestim i mundshëm ka dalë jashtë loje. Në prapaskenë Ilir Meta mund të përgatisë terrenin për të shpëtuar nga SPAK tek miku i tij i ngushtë Viktor Orban njësoj siç veproi ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski. Por pse rasti “Gruevski” nuk mund të përsëritet këtë herë me Ilir Metën?
Kush ia mbylli dyert Ilir Metës
Hungaria, nën pushtetin e Viktor Orban, i kthyer në ‘delen e zezë’ të Evropës për shkak të nismave antidemokratike, është i vetmi vend Evropian që strehon pushtetarët e lartë të Ballkanit, të cilët dënohen apo që shpallen në kërkim nga drejtësia e vendeve të tyre për korrupsion. Në vitin 2018, ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, mik i Ilir Metës, u strehua pikërisht në Hungari, për t’i shpëtuar burgut pasi u dënua me dy vite për korrupsion.
Në atë kohë u raportua se Gruevski u arratis përmes Shqipërisë, por dallimi këtë herë me ish-presidentin Meta është se ai arriti një marrëveshje të fshehtë për të lënë pushtetin dhe në këtë mënyrë të shpëtonte nga prangat. Ishte Viktor Orban ai që strehoi përfundimisht Gruevskin në një nga vilat e tij në Budapest, duke i dhënë më pas statusin e azilit politik, një marifet i politikanëve të korruptuar, për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë. Orban i rezistoi presionit të fortë të Brukselit, për të ekstraduar Gruevskin, duke u bërë kështu një ombrellë për korrupsionin në nivelet e larta në Ballkan.
Por pse këtë herë kryeministri hungares nuk mund t’i hapë dyert për ish-presidentin? Të gjitha shtetet në Evropë janë në një presion shumë të forta nga vetë BE, por kryesorja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ata që falin korrupsionin dhe shpëtojnë të korruptuarit. Ilir Meta po hetohet për korrupsion dhe do të krijonte një imazh të keq sidomos për SHBA në vendin tonë të cilët kanë investuar “thasë” me para për të prangosur të korruptuarit. Nga ana tjetër, për Orbanin situata është më e vështirë.
Atij i janë hapur shumë probleme nga SHBA-BE për shkak të linjës së tij që ka mbajtur pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Orban është vënë totalisht në shërbim të rusëve dhe po i jep një ndihmë shumë të madhe Moskës për të shpëtuar nga sanksionet e hekurta të Perëndimit. Nga ana tjetër, ai është me shpatulla pas muri, pasi Brukseli e kërcënon me ngrirje të fondeve nëse vazhdon të mbajë këto qëndrime. Një lëvizje për Ilir Metën do ja ngushtonte edhe më shumë “lakun pas fytit”.
Ish-presidenti drejt Rusisë?
Pasi ai i ka dyert e mbylluar në Hungari, Meta mund të vendosë në zbatim skenarin rus, i cili i siguron mbijetesë nëse këto ditë do të ngrihet një akuzë penale ndaj tij. Faktet e kanë treguar se lidhja e tij me Moskën është më e fortë se kurrë. Nuk është shkëputur prej vitesh. Qasja, mënyra, argumentet dhe përpjekja për të krijuar trazira, janë në harmoni me atë që Kremlini dëshiron të ndodhë me çdo vend.
Azilin në Moskë Ilir Meta mund ta marrë shumë kollaj, pasi bashkë me Monika Kryemadhin po hetohen dhe për financa ruse, pasi ata figurojnë në borderotë e Kremlinit. Dokumentet tregojnë ata janë edhe aksionarë në kompanitë e oligarkëve të Putinit. Dhjetë muaj më parë, “Kronen Zeitung” media më e madhe austriake publikonte një artikull ku sipas një dëshmitari shqiptar që strehohej në Austri, Ilir Meta përshkruhej si thellësisht i korruptuar.
Artikulli mes të tjerave citonte dokumentet e siguruara nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA për lobimin ndër vite të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në Uashington. Gazeta referonte edhe një pagesë prej 700 mijë dollarësh të bërë në 2016-të dhe fillim të 2017-s përmes kompanisë Dorelita Limited, e regjistruar në Qipro. Pak muaj më parë mediat e Brukselit zbardhën origjinë e parave. Dyshimet u ngritën në dy pista, ose janë para korrupsioni, ose financim nga vende të treta si pjesë e fushatës së tyre për influencë në Ballkan. EuReporter solli dokumente të siguruara nga inteligjenca amerikane, që tregojnë transaksione monetare të Monika Kryemadhit me kompani guaskë të regjistruara në parajsa fiskale.
Pagesat janë marrë nga kompania offshore “Holdem Holdings”, e cila kontrollohet nga oligarkët rusë të naftës Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan. Monika Kryemadhi dyshohet se është aksionere në kompaninë offshore të kontrolluar nga rusët, pasi në mandat pagesat thuhet se shuma prej 13 mijë e 500 euro është marrë si divident për aksionaren. Kryemadhi gjithashtu ka bërë një pagesë për një kompani offshore, “Vradus Holdings”, e cila kontrollohej nga Vitaly Savvin, një oligark rus nafte, që sikurse u zbulua nga Forbes ishte një nga donatorët më të mëdhenj të Putinit.
Investigimi i EuReporters ngre dyshime se dy kompanitë në fjalë të regjistruara në parajsa fiskale nuk kanë asnjë aktivitet, por shërbejnë si maskim në këtë rast për të shpërndarë paratë ruse për politikanët e korruptuar në Evropën Lindore si pjesë e strategjisë së Moskës për të rritur influencën në këto vende. Gazeta ka vite që shkruan se Ilir Meta është i mbërthyer nga influenca ruse, duke bërë lojën e Moskës në Tiranë me skenarët e tyre destabilizues. Njerëzit e tij më besnikë janë faktuar me përgjime për lidhje me rusët, madje mediat e Moskës, Ilir Metën e kishin personazhin politik të preferuar që i pasqyronin çdo lajm.
Ky mund të jetë skenari i fundit i ish-presidentit për të shpëtuar nga goditjet e SPAK, pasi mbrojtja politike duke fajësuar Ramën ka rënë me kohë. Prokurorët specialë po çojnë në burg gjysmën e qeverisë së kreut të qeverisë shqiptare. /Elmas Bogdani