79 vjet më parë u çlirua kryeqyteti shqiptar. Ky moment historik, konsiderohet si operacion i madh, nga më të rëndësishmit, më të ashprit e më të suksesshmit që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH-së kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.
Trupat e brigadës së parë sulmuese të udhëhequra nga Mehmet Shehu më 17 nëntor 1944 çlirojnë Tiranën nga nazistët gjermanë, pas 19 ditë luftimesh të ashpra ku banorët e kryeqytetit luajtën rol aktiv. Shtabi i korpomatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme.
Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës. Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator-28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor-10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor).
Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29, 10,-17, 11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua.
Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë. Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH. Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij.