Në skenën e puthjes me aktorin Timo Flloko te filmi “Vdekja e Kalit”, Rajmonda Bulku ende nuk ishte çliruar nga paragjykimet e së shkuarës. Jo shumë vite më larg, kur ishte shfaqur filmi “erotik”, “Duaje emrin tënd”, kishin rënë mbi të, akuza që, duhet t’i drejtoheshin natyrës.
Faji më i madh i saji, që e pati ndjekur qysh kur i hyri kinematografisë, ishte bukuria! Të ishe e bukur, duhet ‘të mendoheshe mirë’.
Ajo tregon si paragjykohej pse ishte e bukur, por dhe për përfshirjen në politikë.
Pse tundohen artistët nga politika? Njerëzit ju kanë njohur dhe ju kanë dashur për dekada, në një profil krejt tjetër. A nuk mendoni se rrezikohet e gjithë kjo marrëdhënie për shkak të politikës?
Marrëdhinia ime me politikën është shumë më e gjatë se vitet kur njerëzit ma njohën këtë gjë, pra kur u bëra deputete. Që prej vitit ’90, unë nuk kam qenë asnjëherë larg politikës. Pastaj, erdhi një kohë kur vëmendja e politikës, konkretisht e Partisë Demokratike ndaj nesh, artistëve, u bë shumë e madhe. Kjo ishte edhe koha kur u ngacmova së pari për të qenë pjesë e saj, me synimin që do të ndikoja edhe unë në përmirësimin e jetës artistike.
Sa i takon rrezikut për të humbur dashurinë e publikut, ky është një rrisk që politika e merr gjithnjë përsipër, ndryshe, nuk ka vlerë t’i hysh. Në këtë pikë, edhe dashamirësit e teatrit o filmit, ndahen në parti dhe pala tjetër do të të sulmojë, është e pashmangshme. Madje sulmohen sidomos artistët sepse ndoshta iu duket më e lehtë. Politika ndikon shumë te njerëzit, megjithatë tani gjërat janë qetësuar.
A jeni penduar sot, meqenëse, synimi fillestar që thoni, nuk është se u përmbush dukshëm?
Jo, as jam e as do të jem ndonjëherë.
Cili ka qenë roli i fundit, përpëra shkëputjes?