Likja dhe Mona ofrojnë “përvojën” e tyre
Udhëheqësit e Forumit Rinor të LSI, për të sfiduar udhëheqësit skeptik e cinikë të SHQUP, me të cilët Mona sikur i ka prishur pazaret ditë e fundit, kanë “zbuluar” se Shqipëria i ka mundësitë për të strehuar sirianët, duke iu referuar përvojës së LSI, në lidhje me përballimin e flukseve njerëzore.
Këtë propozim, rinia e LSI e shoqëron me skemën konkrete, referuar modelit që kanë përdorur Likja dhe Mona për ngritjen, financimin, transportin, strehimin dhe ushqimin e kampingjeve në Jalë, ku prej 13 vitesh në çdo 3 muaj të verës (si tani), trajtoheshin mbi 10 mijë politologë të rinj të LSI, me trajnime për t’u bërë kryetar partie, ministra, deputetë, drejtorë dogane, tatimesh, spitalesh, arsimi, konsuj, ambasadorë, biznesmenë fondesh bankare e deri president republike.
Siç shpjegojnë “juniorët” e LSI, Iliri dhe Mona arrinin t’i organizonin “me sukses, qetësi dhe dashuri” këto kampingje tip qendrash pritëse masive, duke përdorur drejtorët e LSI në të dy qeveritë “Berisha” e “Rama”, të cilëve sipas sektorëve që mbulonin në qeverisje, u dërgonin listën e detyrimeve në lekë, mallra, shërbime e ushqime, duke shfrytëzuar me dëshirë të detyruar, bizneset private që kishin në sektorët e tyre.
Psh., Likja dhe Mona i linin detyrë Drejtorisë së Transportit Rrugor, të siguronte transportin falas me autobusë nga Tirana e rrethet, drejt Kampingut të Jalës dhe anasjelltas Ispektoratit Teknik (IQT), i linte detyrë të siguronte tek firmat private naftën, benzinën, sobat, bombolat dhe pajisjet gazit për gatim.
Drejtorëve të Kontrollit Ushqimor (AKU) të LSI në Tiranë e qarqe, u linte detyrë të siguronin pa pagesë, të gjithë llojet e ushqimeve dhe pijet që përdoreshin për konsum në 3 vaktet e ditës, sidomos mish, peshk, sallamra, pula e bulmetra por edhe kuzhinierë nga gjellëtoret popullore e Vlorës.
Drejtorëve të spitaleve, u linte detyrë të garantonin ilaçet dhe të caktonin me shërbim javor mjekë e infermierë në dispozicon të kampistëve, si dhe 1 auto-ambulancë të kompletuar urgjence, me grafik “non-stop”.
Gjithë drejtuesve të Mjedisit, Inspektoratit të Punës, tatimeve dhe doganave që ishin të LSI, u jepnin listat me emërtesa mallrash e sasi lekësh, eurosh, dollarësh, që duhej të grumbullonin nëpër bizneset e sektorëve të tyre dhe i hidhnin në veprim, ndërsa ata që kundërshtonin shpalleshin “Armiq të LSI” dhe ndëshkoheshin me gjoba, bllokim biznesi e heqje licensash.
Drejtorit të Postës Shqiptare, për siguri meqë ishte kushëri i Monës, i lihej detyra e furnizimit me internet dhe e transportit të pakove postare që vinin për kampistët, ose dhurata që dërgoheshin nga bizneset e pavaruar për Liken, Monën, Titin dhe dy Edmondët ministra.
Kjo është përvoja e Likes dhe Monës, qeveria e ka gati, po deshi le ta zbatoj pa harxhuar asnjë qindarkë nga shteti…/Pamfleti