Mançester Siti është nën hetim nga Premier Liga për shkak të 115 shkeljeve që akuzohet se ka bërë në vite duke shmangur rregullat për bilancet financiare të klubit. Pas heqjes së pikëve ndaj Evertonit, shumëkush pret që “qytetarët” të dënohen me zbritjen nga kategoria në fund të këtij edicioni.
Ndaj Pep Guardiola vendosi sot të fliste publikisht rreth kësaj çështje, pasi u ngacmua nga gazetarët nëse do të vazhdonte te ky ekip.
“Unë do të përgjigjem më mirë kur të kem përpara vendimin. Ju më pyetni sikur ne jemi dënuar që tani. Për momentin që flasim, ne jemi të pafajshëm. Unë e di që njerëzit e duan, e di, e ndjej, Unë do të pres. Të presim dhe të shohim pasi të jetë dhënë vendimi dhe do të vijmë këtu e ta shpjegojmë.
Por në mënyrë absolute unë nuk do të marr në konsideratë të ardhmen nëse bëhet fjalë për të qenë këtu apo në League One. Ka më shumë mundësi që të qëndroj këtu nëse jemi në League One se sa nëse jemi në Ligën e Kampioneve”, ishte përgjigja e Guardiolës para gazetarëve.