Nga Luan Banushi
Pse u jepet kaq shumë zë gjarpërinjve në mediat tona vizive? Jam në dyshim, nuk është e rastësishme.
Tek po shihja një emision në Youtube, më tërhoqi diçka në libër dhe u zhyta në lexim. Ndërkohë emisioni përfundoi dhe nisi një emision tjetër, “n’pikë” titullohej, i një televizioni kosovar. Tema ishte interesante: a do të bashkohet Kosova me Shqipërinë?
Mes të ftuarve të tjerë ishte dhe gjarpëri Spahi. Gazetarja, bëri prezantimin e të ftuarve dhe në nisje të bisedës, tha se shumica e kosovarëve ishin për bashkimin, porse, “Shqipëria është pak e ftohtë”. Më habiti pak, për sigurinë me të cilën e tha.
E mori fjalën gjarpëri Spahi i cili na dha shumë shembuj se ka shumë kombe të ndarë si: Gjermania me Austrinë, e të tjerë (po ne nuk jemi kombe të ndarë, neve na kanë ndarë si komb!).
– “Duhet të bëjmë dallimin”, – vazhdoi gjarpëri Spahi, “mes etnisë dhe kombit. Mund të kesh etni të njëjtë dhe kombësi të ndryshme. Nëse është i ndarë kombi, nuk është një, është dy”, – argumentonte ai.
– “Kanë ndryshuar rrethanat. Ne tani jemi kombi kosovar, kemi flamurin tonë, kemi simbolet tona kombëtare, kemi ekipin tonë kombëtar, pastaj është më mirë që të kemi dy vota në BE”, – po na joshte gjarpëri Spahi.
Meqë ra fjala, termi komb përcaktohet si: “Bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shfaqet në bashkësinë e kulturës”, sipas të cilit jemi një komb.
Edhe Territori një është, është në vazhdimësi, ajo ndarja në hartë nuk ka asnjë rëndësi, e fshijmë dhe asgjë nuk na pengon të jemi një komb, ndërsa ndarja në dy Kombe do të ishte jo normale, qoftë edhe për simbolet e tjera që duhet të dojë kombi kosovar (nuk më tingëllon hiç mirë – komb kosovar), simbole që vërtet ia kanë caktuar sot, por as që i ndjen fare, i ka pranuar si të përkohshme.
Formimi psikik i shqiptarëve të Kosovës nuk do mund ta pranonte ndryshimin, është formuar i tillë në shekuj.
“Kanë ndryshuar rrethanat”, – u hodh e tha një grua: “Fillimisht edhe unë isha për bashkim, por tani nuk jam, se kanë ndryshuar rrethanat”. Arsye e mosarsyes.
Si mund të argumentohet një gjë kaq thelbësore, kaq jetike për një komb, që ka më shumë se një shekull që vuan ndarjen dhe pret bashkimin, që në emër të këtij bashkimi ka derdhur gjakun lumë, si mund të arsyetohet me kaq lehtësi: kanë ndryshuar rrethanat!??
Termi “Kosovë” është sllav. Më pas, mund të quhet komb sllav, ja që ndryshojnë rrethanat!! Më pas akoma, ME NDRYSHIMIN E RRETHANAVE (Amerika mund të mos jetë kjo që është), SERBIA, e cila e ka në kushtetutë (ajo nuk e ndryshon këtë rrethanë!), që Kosova është pjesë e Serbisë, MUND TA PUSHTOJË PËRSËRI Kosovën, të marrë pjesën që ia kanë marrë padrejtësisht!?, ngaqë ndryshuan rrethanat, të marrë pjesën e vet pra.
Ndërsa po qe se Kosova është e bashkuar me Shqipërinë, nuk ka si e pushton Serbia, edhe të ndryshojnë rrethanat, se hyn në luftë me Shqipërinë.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është pengesë e madhe për Serbinë, pengesë që kërkon t’ia heqë gjarpëri Spahi dhe të gjithë gjarpërinjtë dhe gjarpërushet që kushedi ku kanë gëlltitur ndonjë lugë çorbë të prishur dhe na hidhërojnë e s’na lënë të gëzojmë as festat!…