Ish-kryeministri Sali Berisha është politikani më intrigant në Shqipëri dhe falë këtyre intrigave po tenton t’iu shpëtojë prangave të Prokurorisë Speciale (SPAK).
Berisha po hetohet nga Prokuroria e Posaçme sa i takon aferës së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, ndërkohë që sot Gjykata e Posaçme (GJKKO) pritet të ashpërojë masën e sigurisë ndaj tij, në “arrest shtëpie”.
Por për këtë çështjes dhe zhvillimet politike në Shqipëri, gazeta “SOT” bisedoi me deputetin e Partisë Socialiste, Petro Koçi. Ky i fundit në një interviste për gazetën “SOT”, tregoi se si Berisha u rrëzua nga pushteti në vitin 1997 dhe u bë kryeministër në 2005 për shkak të tradhtisë brenda së majtës. Ndërkohë ndalur tek ofensiva e SPAK, zoti Koçi theksoi se kushdo që do kaloj vijën e kuqe, sipas tij, duhet t’i përgjigjet ligjit, si nga e majta dhe si nga e djathta.
-Zoti Koçi, me votat e mazhorancës pak ditë më parë u hoq imuniteti i ish-kryeministrit Sali Berisha, pritej diçka e tillë?
Që mund të kishte tentativa për ta bërë seancën me karrige të bëra pirg, me rrëmujë dhe tym e dinim. Pastaj edhe palët e tjera kanë thënë që ishin pro heqjes së imunitetit në media, pastaj me votë ishte tjetër gjë. SPAK ka të drejtë dhe është normale që ta kërkoj këtë në momentin që je në ndjekje penale dhe nuk i përgjigjet masave të para, atëherë masa ashpërsohet, ky ka qenë edhe argumenti i SPAK.
-Dakord, por deputetët e opozitës e kanë konsideruar antikushtetuese. Ndërkohë edhe për komisionet hetimore nuk janë lejuar që të hapen dhe është ndryshuar edhe ligji. Keni një koment?
Unë e kam thënë që është nevojë urgjente që të ndryshohet ligji për komisionet hetimore për t’iu përgjigjur Gjykatës Kushtuese. Ndryshimet janë në përmbajtje të një pjese të mirë edhe të atyre propozimeve që ka bërë edhe opozita. Është e pamundur për një mazhorancë që ta dobësoj një opozitë, madje kur ka një qeverisje që i bënë presion opozitës kjo e fundit më shumë forcohet, por mazhoranca s’ka asnjë rol në gjendjen që ka pësuar sot opozita. Është fare e paargumentuar.
-Ekziston një perceptim se drejtësia po e lë këtë vend pa opozitë, keni një koment?
Keep Watching
Perceptimi është se drejtësia po vepron më shumë mbi Partinë Socialiste. Unë mendoj se atyre ca u vjen si denoncim dhe përkundrejt provave janë duke vepruar ndaj kujtdo, pavarësisht se i kujt krahu është. Në momentin që është në ndjekje penale Berisha kjo është një përpjekje për ta kthyer çështjen nga një marrëdhënie juridike dhe gjyqësore në një peizazh politik.
Të gjitha përpjekjet që bën Sali Berisha i bën që të kryej mbrojtje politike ndaj vetes. Ai thotë do bëjmë protestë ndaj SPAK për inceneratorët, ndërkohë që ai vet është në ndjekje penale nga SPAK. Berisha është politikani më intrigant që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Ia kalon gjithë politikanëve, edhe atyre që ka pasur regjimi komunist, është kampion i intrigës. Po të shikosh, çdo hap i tij është me intrigë dhe sidomos kur përfshihet edhe vetë, pjellshmërinë e vet aty është maksimale. Kjo është një diagnozë që bëhet kollaj.
-Deputetët opozitar kanë deklaruar se aksioni i tyre do të vijoj dhe do të jetë më i fortë se kurrë, a ndjeheni përgjegjës moralisht ju si mazhorancë që nuk ka jetë parlamentare më?
Problemi është që instrumentet që përdorin për protestë nuk duhet që të kalojnë vijën e kuqe që është ligji. Kur ti fut brenda armatim dhe e planifikon dhe merr dhe thyen karrige nuk është se ndodhi aty në një moment të caktuar. Masat që janë marr për largimin e deputetëve që shkaktojnë kaos nga seancat janë proporcionale në raport me aktin që kryhet. Sa më i madh që të jetë akti aq më i rëndë edhe dënimi për të mos marr pjesë në seanca dhe në punimet e komisioneve. Sjella e deputetit ka edhe një etikë të caktuar me ligj dhe rregullore. Kështu që në momentin që ti e shkel ligjin do ta pësosh.
-Si i vlerësoni kritikat se të gjitha pushtetet e institucioneve janë marr prej qeverisë?
Ato që janë me natyrë politike dhe janë produkt i zgjedhjeve janë të Partisë Socialiste, ne nuk themi dot që kemi Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH), apo pushteti i drejtësisë është në kontrollin tonë, është një sistem i pavarur. Ndikimi politik është zero, s’ mund të flasësh me këtë gjuhë kur e pëson se nuk ke qenë hajdut se fajin e ka drejtësia. Ne bëmë një reformë që e çliroj drejtësinë nga pushteti politike. Ku ishte parë ndonjëherë që të merreshin ministra dhe të çoheshin në gjyq.
-A ka probleme sipas jush qeverisja aktuale?
Çdo qeverisja ka probleme. Mendoj se ka nevojë për një ndërhyrje më agresive në administratë, gjë që ishte objektiv në mandatin e dytë dhe besoj do të jetë objektiv edhe në këtë mandat. Kanë marrë prioritet disa çështje të tjera si ndershmëria dhe mirë menaxhimi i tenderave dhe po aplikohet teknologjia e inteligjencës artificiale.
-Kryeministri i vendit Edi Rama ka deklaruar se Partia Socialiste s’do të jetë ombrella e askujt?
Po sepse të ishte si pretendohej do të gjendej një mundësi për të ndikuar. Unë them se kemi drejtësi të pavarur dhe drejtësia vetëqeveriset dhe nuk varet nga pushtetet politike. U bë një debat politik shumë i madh do zgjidhej Dumani apo jo në krye të SPAK dhe doli një rezultat tjetër nga to që thuheshin në media dhe del në përfundimin se Rama s’ka influencë.
-Kryeministri Edi Rama ka deklaruar pak ditë më parë se do të largoj kryebashkiakun e Himarës nga detyra dhe mediat greke e kanë interpretuar se Rama ka pranuar Fredi Belerin si të zgjedhur në krye të kësaj bashkie, ju si e shihni?
Kjo është çështje ligjore në fakt dhe ligji kështu e ka që në përfundim të procesit ligjor do bëhet edhe përcaktimi nëse lirohet nga akuzat nëse do të bëjë betimin ose jo. Çështja Beleri varet nga drejtësia që më pas të veprohet, tani se di se sa kohë mund të pres bashkia që të përfundoj një proces ligjor, që nëse jo duhet të ketë një ndryshim në ligj nëse se ka të parashikuar këtë. Goro është kryetar sepse s’ po vjen i riu. Nëse Beleri nuk vjen atëherë do bëhen zgjedhje të parakohshme. Rama nuk e ka mohuar se ai është zgjedhur, është kryetar i zgjedhur, por jo kryetar në funksion. Vendos gjykata në fund dhe për rastin e Goros qeveria mund të ndërhyj më parë nëse ka argumente, sepse shkarkimi do një arsye.
-Çfarë na pret politikisht në 2024, opozita ka deklaruar se do të bëjë protesta dhe se janë më të fortë se kurrë?
Nëse janë më të fortë se kurrë atëherë ata duhen të jenë të lumtur. Opozita me veprime jo qytetare, me kërcënime përpjeka e opozitës për të na hequr të drejtën e fjalës ka qenë e pafund. Ne i kemi thënë hajdeni në komisione dhe se kanë bërë, kanë problemet e tyre me njëri-tjetrin. Në momentin që kemi një palë që thotë jemi pro amerikanë dhe një palë që thotë Berisha është momenti i demokracisë atëherë ata janë dy parti të ndara. Personi që na lidh me të kaluarën është Sali Berisha. Shqipëria e rrëzoi diktaturën komuniste në ‘97-ën dhe nuk e rrëzoi Partia Socialiste, por e rrëzoi populli. Po të ishte për Partinë Socialiste, do të rrinte diktatura akoma në pushtet dhe këtë po them si kryetar i Partisë Socialiste në Fier.
Ky person që është simboli i regjimit komunist dhe po themi regjimit me natyrë komuniste dhe me veshje demokratike, u rrëzua në vitin 1997. Rierdhi në pushtet në 2005 për shkak të tradhtisë brenda së majtës dhe ky është personi që e lidh sot Shqipërinë moderne me Shqipërinë në të shkuarën. Kur opozita do të dijë që të shkëputet nga ky mentalitet, atëherë mund të do kemi një ballafaqim që do bëhet më civil dhe më modernë. Kushdo që do kaloj vijën e kuqe, do t’i përgjigjet ligjit, si nga e majta dhe si nga e djathta.