SPAK po heton që nga vera e vitit 2022 Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, duke përfshirë të paktën tre dosje; lobimin, shërbimet estetike dhe CEZ.
Krahas veprimeve të shumta hetimore, SPAK ka verifikuar edhe udhëtimet e Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës.
Monika Kryemadhi ka udhëtuar mbi 130 herë jashtë vendit vitet e fundit. Referuar sistemit TIMS, Kryemadhi, vetëm gjatë një viti ka qëndruar 65 ditë jashtë vendit.
Rezulton se Kryemadhi nuk ka deklaruar asnjë shpenzim në ILDKPKI, as për koston e udhëtimeve dhe as për koston e qëndrimit jashtë vendit.
Bie në sy që Monika Kryemadhi ka udhëtuar shpesh jashtë vendit me Elona Gurin, një personazh i besuar i Metës dhe Kryemadhit edhe për punë të pista, si përgjime në dhoma gjumi, shantazh etj.
Elona Guri njihet ndryshe edhe si bankomati i Ilir Metës dhe Kryemadhit.
Duke parë udhëtimet, Monika Kryemadhi ka udhëtuar jashtë vendit më shumë me Elona Gurin se sa me Ilir Metën. Madje, në disa raste, Monika dhe Guri kanë kaluar kufirin në këmbë me çanta.
Për Elona Gurin ka edhe një kallëzim penal në SPAK, pasi pretendohet se ka lëvizur paratë e pista të Metës dhe Kryemadhit jashtë vendit.
Gjatë një kontrolli të ushtruar nga BKH-ja disa javë më parë, SPAK ka sekuestruar edhe një telefon të Elona Gurit.