Petrit Llanaj (1937-2003). Aktor dhe regjisor filmi. Lindi në Vlore, më 2 janar. Pasi mbaroi studimet në shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu”, filloi punë si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Më pas shkoi në kinostudion “Shqipëria e Re”.
Luajti disa role në filma. Interpretimet më të mira i ka në filmat “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967), “Fijet që priten” (!976), “Dëshmorët e monumenteve” (1980).
Roli më i mirë i tij në kinematografi vlerësohet ai i protagonistit te filmi “Njesiti gueril” (1969), një guerilas trim, hero, në klishetë e njohura të kohës.
Si regjisor, ai xhiroi si bashkëregjisor me XH. Dafën filmin e parë artistik “Një udhëtim i vështirë (1977). Probleme të familjes dhe raportet e individit me shoqërinë, brenda një kuadri e brendie morale tipike për kohën, trajtojnë filmat “Kur ndahesh nga shokët”, 1986 dhe “Përsëri pranvere”, 1987.
P. Llanaj ka xhiruar edhe disa filma dokumentarë, ku në fokus vendoset njeriu me shqetësimet për punën, bujaria dhe modestia e tyre, sikurse shihet te “Frymëzimet e para”, “Një kohë tjetër”, “Pranë jetës, pranë njerëzve” etj.
Pas përvojës së grumbulluar ai realizoi filmin dokumentar “Troku” fitues i çmimit për regjinë më të mirë në Festivalin VI të Filmit Dokumentar dhe Vizatimor Shqiptar, në të cilin spikati stili poetik dhe frymëzimi. U nda nga jeta në vitin 2003.