Oficerët e Policisë Gjyqësore ishin sot paradite në banesën e e Sali Berishës për të kontrolluar nëse ai po zbaton masën e sigurisë caktuar nga GjKKO një javë më parë
Report Tv sjell pamjet kur Erion Ismaili, Dr i krimit ekonomik në Tiranë shoqëruar nga një efektiv i veshur me uniform policie dhe një grua e veshur civile pasi komunikojnë me truprojen e Berishës shoqërohen për të hyrë në pallat drejt apartamentit ku ndodhet ish kryeministri në rrugën “Mustafa Metohiti’ në Tiranë
Oficerët kanë qëndruar jo më shumë se 7 minuta.
Pas këtij kontrolli oficerët e policisë do të përgatisin një raport, ku pritet të përfshijnë edhe fjalimet e Berishës nga dritarja, në shkelje të vendimit të gjykatës.
Ish kryeministri vijon të shkelë vendimin e GJKKO-së që ia ndalon të komunikojë me persona të tjerë përveç atyre me të cilët bashkëjeton. Berisha nga dritarja e shtëpisë së tij, ku qëndron nën arrest shtëpie i drejtohet militantëve të paktë që mblidhen poshtë pallatit të tij.
Vendimi i GJKKO-së ende nuk është zbardhur i plotë ndërkohë dje ministri I Brendshëm Taulant Balla e quajti të papranueshme pasi gjatë arrestit në shtëpi janë të gjitha ndalimet si në burg.
Sali Berisha është në hetim për korrupsion lidhur me privatizimin e ish kompleksit Partizani pasi me veprimet e tij ka favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin lulëzuan 19 kulla.