Kadri Roshi, ylli i kinematografisë dhe skenës shqiptare, lindi 100 vjet më parë, në 4 janar të 1924-ës.
Sot, në 100-vjetorin e lindjes së tij, mjeshtri i aktrimit kujtohet me mallëngjim me rolet e tij më në zë.
Aktori brilant që kishte një talent të lindur la gjurmë të paçmueshme në kinematografinë dhe skenën shqiptare.
Kadri Roshi lindi në Ballsh të Mallakastrës në një familje me prejardhje nga Libohova dhe kaloi një fëmijëri të vështirë. Ai humbi nënën e tij kur ishte vetëm 2 vjeç dhe 10 vjet më vonë ndërroi jetë edhe babai i tij.
Por artisi nuk iu dorëzua humbjeve. Në moshën 21-vjeçare ai nisi karrierën si aktor në skenën e Teatrit Popullor. Në vitin 1951 finalizoi rrugëtimin e tij kushtuar edukimit universitar, të përshkuar në Pragë. Me t’u kthyer në vendin e tij të origjinës, Roshi ekzekutoi rolet e para në logun e jetës artistike të vendit, Teatrin Kombëtar.
Kadri Roshi luajti rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi, duke lënë në kujtesën e teleshikuesve dhe të spektatorëve një portret të pashlyeshëm. Në celuloid është përjetësuar në sajë të një shumësie rolesh, që variojnë nga skllavi Ezop te kujdestari i “Lulëkuqe mbi mure”, si edhe nga mbojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në Rilindje deri te plaku Mere.
Disa prodhime të tjera filmike ku Roshi ka mishëruar role protagoniste, janë: “Vdekja e burrit” (1991), “Apasionata” (1983), “Partizani i vogël Velo” (1980), “Ballë për ballë” (1979), “Gjeneral gramafoni” (1978), “Njeriu me top” (1977), “Fije që priten” (1976), “Përballimi” (1976), “Malet me blerim mbuluar” (1971) dhe “I teti në bronz” (1970).
Për kontributin e dhënë në artin e fjalës dhe të interpretimit, Roshi u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik të vitit 1995, me Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997 dhe iu akordua vlerësimi “Nderi i Kombit” në vitin 1999.