Sali Berisha duket se do të përballet me telashe nëse vijon të bëjë kryeneçin dhe të mos i bindet drejtësisë. Pas një sërë përpjekjesh të tij për të zvarritur procesin gjyqësor të nisur për të sa i takon aferës së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, të shtunën e 30 dhjetorit që lamë pas, gjyqtarja Irena Gjoka vendosi “arrest shtëpiak” për ish-kryeministrin Berisha.
Por kjo masë sigurie që e izolon ka “trimëruar” Berishën, i cili ka thyer kufizimin e vendosur nga Gjykata e Posaçme, e cila përveç arrestit në banesë, i ndali atij komunikimin me person jashtë familjes. Prej dy ditësh poshtë banesë së tij u janë mbledhur dhjetëra demokratë në shenjë proteste dhe solidarizimi me të. Mirëpo ndryshe nga data 2 Janar e këtij muaji, ku Berisha vetëm sa doli dhe i përshëndeti nga dritarja, këto ditë Berisha ka folur duke marrë mikrofonin dhe sfiduar kështu hapur ligjet e drejtësinë.
Por nëse këtë gjë do e bënte një qytetar i thjeshtë, ai do të përballej me pasojë, ç’ka pritet të aplikohen edhe për kreun e Rithemelimit. Paralajmërimin e kanë bërë avokatët dhe juristët, të cilët në media të ndryshme kanë treguar skenarët që pritet të përballet Sali Berisha, duke filluar nga humbja e mandatit të deputetit, te qëndrimi në “arrest shtëpie” deri në dy vjet dhe burgosja në qeli pasi ka thyer masën e sigurisë së dhëna nga GJKKO. Më poshtë gazeta “SOT”, po pasqyron reagimet e juristëve të njohur për çështjen “Berisha”.
Brizida Gjikondi
Fillimisht ka qenë juristja Brizida Gjikondi, e cila thotë se Sali Berisha shkeli në mënyrë flagrante vendimin e GJKKO-së për masën ‘arrest në shtëpi’, duke komunikuar nga ballkoni me mikrofon. Në një intervistë për mediat, Gjikondi theksoi se shkeljet e vazhdueshme të Berishës përbëjnë një shkak për ta dërguar atë në burg. “Ajo ishte shkelje flagrante e vendimit të GJKKO-së dhe procedurave që janë marrë deri më tani ndaj Berishës.
Vendimi është i qartë, ku arsyeton se i ndalohet komunikimi me të tjerët përveç familjarëve. Ai nuk e përfilli këtë pikë, por mori edhe një mikrofon. Nuk e përfilli fare këtë pjesë të vendimit sikurse nuk ka përfillur asnjë institucion të drejtësisë dhe procedurë ligjore, pavarësisht se derisa të vendoset se është i fajshëm, prezumohet i pafajshëm. Ai ka abuzuar me këtë bazë ligjore dhe dhunon dhe përdhunon reputacionin, dinjitetin e institucioneve të drejtësisë shqiptare.
Neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ‘arresti në shtëpi’ është i përcaktuar në vendimin e gjykatës se si do të procedohet. Ai e ka të shkruajtur se nuk i lejohet të komunikojë me asnjë njeri. Por policia ka për detyrë të verifikojë nëse Berisha e ka respektuar si duhet vendimin dhe të bëjë relacion për shkeljet që ia bën, që përbëjnë shkak për të ndryshuar masën e arrestit në arrest me burg”, deklaroi ajo. Po ashtu juristja Gjikondi zbuloi se Berisha mund të qëndrojë deri në dy vjet “arrest shtëpie”.
. “Mund të rrijë në shtëpi deri në dy vjet. E kam thënë se Berisha është qenia më pa karakter dhe ndryshe thotë dhe ndryshe bën. Këtej bën si hero që nuk pyet për drejtësinë dhe këtej fshehurazi çon avokatët, e njeh dhe përpiqet të ankimojë masën e arrestit për detyrim paraqitje.
E dëgjova Ballën por Policia e Shtetit, si një nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e Berishës, ka detyrë që të bëjë një relacion për shkeljen që ka bërë ai. Nëse rast se vazhdojmë me toleranca ndaj personazheve si Berisha, të tjerët kanë të drejtë të bëjnë të njëjtën gjë. Ligji ka kritere por edhe se çfarë bëhet kur ky zotëri i shkel këto”, nënvizoi juristja e njohur, Brizida Gjikondi.
Arben Llangozi
Ndërkohë avokati Arben Llangozi shprehet se masa e arrestit në shtëpi nuk u thye edhe pse ish-kryeministri doli dhe foli në ballkon pavarësisht se gjykata e specifikoi që komunikimi duhet të ishte vetëm me familjen. “Zoti Berisha nuk ka thyer asnjë lloj mase, të arrish t’i zëvendësosh masën një personi që vetëm ka folur kjo do të sillte pastaj diktaturë. Deri tani e kishte merituar masën arrest shtëpie, sepse kishte shkelur vendimin e parë gjyqësor.
Duhet ta kishte zbatuar dhe i solli këtë pasojë. Berisha gaboi në mos zbatimin e vendimit dhe i solli këtë vendim që ndodhet i ngujuar. Berisha ka një popullatë të gjerë 500-600 mijë vota që i ka marrë në zgjedhjet vendore. E ka të drejtë Kushtetuese. Të merremi tani pse doli në dritare dhe foli i japim më shumë rëndësi dhe nuk kemi ndonjë cenim të vendimit. Gjykata e ka pasur fjalën që të mos ketë kontakte fizike në banesë, por jo të privojë të drejtën e fjalës. SPAK-u nuk duhet të merret më me një 80-vjeçar, ai duhet të vuajë masën aty ky është dhe nuk mendoj se ka ndonjë shkelje”, deklaroi ai.
Sakaq, avokati u pyet nëse komunikimi i Berishës në rrjetet sociale përben shkelje. Për këtë avokati Llagnozi thotë se nuk ka asnjë pengesë edhe nëse ish-kryeministri jep intervista nga masa e arrestit të shtëpisë. “Patjetër mund të futet në intervista apo emisione. Nuk ka masë arresti me burg. Edhe një i burgosur flet në media. Në BE janë më të lejuara edhe kontaktet jashtë rrethit familjar. Aq më tepër një media, që përçon një mesazh. Rëndësi ka që të mos dalë nga banesa dhe të mos takojë persona që prishin hetimet”, u shpreh ai.
Ndërkaq avokat Llangozi shprehet se nëse për gjashtë muaj masa e arrestit në shtëpi nuk zbutet, pra që të lirohet, Sali Berisha humbet mandatin e deputetit, nisur nga precedenti “Beleri”. “Për çdo lloj leje, shëndetësore apo që atë e detyron të dalë nga banesa atë e detyron të marrë leje nga SPAK-u apo gjykata. Për shërbimet shëndetësore vendos prokurori. Edhe me një telefonatë prokurori e lejon për shërbimet spitalore. Për pjesëmarrjen në Kuvend, kemi precedentin Beleri, dhe zoti Berisha pas 6 muajsh nuk do të ketë më mandat.
Nuk mund t’i jepet leje për të shkuar në parlament, pasi e kanë kryer një precedent, Beleri iu drejtua disa herë gjykatës dhe gjykata nuk e lejoi për të dalë të betohej. Kjo kërkesë përfundoi deri në gjykatën e Lartë dhe kjo u bë praktikë dhe kështu mendoj se do të vazhdohet me Berishën, nëse masa nuk zëvendësohet në shkallët më të larta. Nëse do të lihet në fuqi në shkallët e tjera Berishës i digjet mandati”, nënvizoi avokat Arben Llangozi.
Edmond Petraj
Nga ana tjetër, avokati Edmond Petraj ka deklaruar se ish-kryeministri Sali Berisha gaboi, pasi nuk respektoi vendimin e gjykatës dhe si pasojë iu shtuan akuzat. I ftuar në një media, avokat Petraj theksoi se Berisha mendoi se do ta kalonte lehtë, por nuk ndodhi kështu.
Sipas avokatit, në rast se Berisha shkel dhe masën e “arrestit shtëpiak”, do të përfundojë në burg dhe mosha nuk përbën problem. “Mendoj që kjo situatë ka mbaruar dhe sado që të përpiqen ta kanalizojnë politikisht nuk ka më vlerë. Berisha është i akuzuar dhe tani i është shtuar dhe akuza për mosrespektim të vendimit të Gjykatës.
Tashmë ai e kishte më të lehtë të shkonte në gjykatë dhe të pranonte masën e duhur. Në momentin që ai nuk e respektoi, gjithçka ndryshoi. Në rastin në fjalë, nuk ka pse, pasi flitet për një Berishë që ka një figurë shumë të rëndësishme në politikë. Ai e mori me të qeshur, por nuk duhej kështu. Për mendimin tim, Berisha gaboi dhe them se do të gabojë prapë. Edhe te ajo dalja në ballkon gaboi.
Procedura ka një formë të tillë, nëse shkelet dhe nuk zbatohet vendimi i Gjykatës, ajo quhet përsëri vepër penale. Nëse ai e thyen këtë shkon në burg, sepse në burgjet shqiptare ka dhe 95-vjeç. Mosha nuk është pengesë”, deklaroi avokat Edmond Petraj.