Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi sot ndaj ngjarjes së rëndë të ndodhur në Durrës, ku një grua 41 vjeçe, nënë e katër fëmijëve, vrau veten për shkak të denigrimit dhe bullizmit në rrjete sociale.
“Ky rast tmerrësisht i rëndë kërkon drejtësi. Dënimi maksimal i autorit ose autorëve për shkaktim/nxitje të aktit të vetëvrasjes është më e pakta që duhet të ndodhë.
Është momenti të ndërgjegjësohemi se gjuha e denigrimit dhe e dhunës në rrjete sociale prek në mënyrë shproporcionale gratë dhe vajzat, ushqehet nga kultura e dhunës patriarkale që i izolon gratë në këndin e “turpërimit” kolektiv duke u sjellë trauma të rënda individuale, familjare dhe shoqërore.
Gjuha e poshtërimit dhe e denigrimit të grave gjendet rëndom në medien vizive, të shkruar dhe online, ku sulmet kalojnë pa u analizuar dhe pa u dënuar nga ligji dhe shoqëria”, theksoi Spiropali.
Sipas saj, denoncimet për krime kibernetike dhe kërcënime online duhet të trajtohen me seriozitetin maksimal nga organet ligjzbatuese dhe nga sistemi i drejtësisë.