Ishte ndërtesa më e madhe e Greqisë klasike: pallati ku Aleksandri i Madh u shpall mbret përpara se të niste një fushatë pushtimesh që e çoi atë deri ku shtrihet Afganistani i sotëm.
Pallati i Aigait në Greqinë veriore u rihap plotësisht këtë javë pas një rinovimi që zgjati 16 vjet dhe që kushtoi më shumë se 20 milionë euro, pjesërisht me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.
Pallati u ndërtua mbi 2300 vjet më parë gjatë mbretërimit të babait të Aleksandrit, Filipit II, i cili e kishte shndërruar mbretërinë e Maqedonisë në një fuqi ushtarake mbizotëruese të Greqisë antike. Aigai ishte kryeqyteti i saj mbretëror.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis mori pjesë në ceremoninë e përurimit të premten. Pallati kishte oborre të rrethuar me kolona, kopshte, vende për t’u lutur dhe salla të mëdha banketesh, dysheme të zbukuruara me mermer me modele dhe mozaikë të ndërlikuar.
Ndërtesa mbulonte një sipërfaqe prej 15,000 metrash katrorë, vetëm pak më e vogël sesa sipërfaqja që zë ndërtesa e Kapitolit në Shtetet e Bashkuara.
Pallati i Aigait ishte qendra administrative dhe shpirtërore e mbretërisë. Rrënojat e pallatit dhe varret mbretërore aty pranë janë objekt i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në zonën pranë fshatit të sotëm të Verginës.
Kolonat e mermerit u rikrijuan duke i plotësuar fragmentet e nxjerra nga rrënojat me pjesë të reja të ndërtuara sipas modelit të tyre.
Rreth 65 kilometra në jugperëndim të qytetit port të Selanikut, në Greqinë veriore, Aigai tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare në fund të viteve 1970 gjatë gërmimeve të varrezave në një zonë kodrash të gjelbra mbuluar me lulëkuqe dhe lule të verdha.
Arkeologu grek Manolis Andronikos që tashmë ka vdekur, drejtoi gërmimet dhe zbuloi varret mbretërore, duke gjetur një arkivol ari dhe artefakte të tjera ari, si dhe eshtrat që besohet gjerësisht se i përkasin Filipit II.
Zbulimet nxorrën në pah një qytetërim të sofistikuar të banorëve të lashtë të zonës, të cilët shpesh ishin lënë në hije në rrëfimet historike për shkak të vëmendjes tek Athina.
Angeliki Kottaridi ishte ende studente e arkeologjisë kur iu bashkua projektit si ndihmëse. Ajo iu përkushtua gjithë jetën gërmimeve dhe restaurimit të pallatit dhe dekada më vonë u bë forca shtytëse për muzeun e ri në Aigai, i cili u hap një vit më parë.
Ajo doli në pension më 31 dhjetor si drejtuese e punimeve arkeologjike të rajonit dhe u nderua në ceremoninë e së premtes. Vendi i rinovuar hapet këtë fundjavë për publikun.