Vendi ynë vijon të jetë ndër sugjerimet kryesore të revistave dhe mediave të huaja për turistët e tyre.
Si shumë media të tjera në Europë, edhe media e njohur “The Mirror” i ka kushtuar një artikull bukurive shqiptare, duke ftuar turistët britanikë të vizitojnë dhe të shijojnë vlerat, që t’i ofron “Toka e shqiponjave”.
Konkretisht, “The Mirror” u bën jehonë thesareve turistike të Shqipërisë duke nisur nga muzetë e kryeqytetit, amfiteatrit romak të Durrësit, për të zbritur në plazhet e rivierës, pasuritë arkitekturore të Gjirokastrës e për të zbuluar më në brendësi të vendit liqenin e Bovillës apo Parkun e Alpeve.
Për këtë përshkrim ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka ndarë me ndjekësit linkun e shkrimit.
“Për herë të parë Shqipëria është vendosur në raportin e ABTA – shoqata britanike e turoperatorëve dhe udhëtimeve – si një nga 10 vendet që duhen vizituar këtë vit”, shkruan Rama.