“Mami im ka qenë shumë e ngarkuar emocionalisht.”. Kështu ka deklaruar vajza e Bedrie Lokës, nëna e 4 fëmijëve që i dha fund jetës duke pirë fotoksinë, pas sherreve të vazhdueshme me burrin. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dosjen hetimore, ku jepet dëshmia e vajzës së çiftit Loka.
Në deklarimet e saj, vajza pohon se prej një viti prindërit nuk e kishin pasur mirë marrëdhënien me njëri-tjetrin. Ajo mësohet të ketë thënë se prindërit kanë pasur debate që prej muajit shkurt 2023.
“Gjyshja ime ka kaluar një trompozë dhe babi im nuk e linte mamin të shkonte për vizitë te ajo. Mami im ka qenë shumë e ngarkuar emocionalisht dhe psikologjikisht dhe shumë herë e thoshte se do t’i jepte fund jetës.
‘Jam e lodhur’ thoshte”, thuhet në dëshminë e vajzës. Madje e reja tregon dhe momentin e fundit të komunikimit me nënën e saj, pak para se kjo e fundit të pinte fotoksinë.
“Komunikimi i fundit që unë e kam bërë me mamin ka qenë rreth orës 22:30 dhe ajo më tha që kishin prapë debat. I thashë; “po leje pra atë muhabet dhe qepe” dhe ajo më tha; “mirë mo mami, mirë se e qep unë”. Diku nga muaji shtator 2023 mami i ka gjetur babit disa letra në gjuhën franceze të cilat ja ka dërguar një femër.
Ajo ishte një franceze dhe ka komunikuar me vëllain tim dhe i ka thënë që ka pasur një lidhje me Xhemalin. Kjo ka qenë një arsye që e ka vrarë shumë psikologjikisht mamin tim”, vijon më tej rrëfimin e bija.