Brenda këtij viti do të nisë faza e parë e zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës, dhe do të nisë puna fillimisht për pjesën Tiranë-Kthesa e Rinasit dhe më pas kthesa e Rinasit-Durrës.
Drejtuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi shpjegoi se fluksi i automjeteve që po kalojnë në këtë autostradë është 3-fish më i lartë sesa është kapaciteti i saj. Sipas Berberit kjo autostradë është ndërtuar për të përballuar 30 mijë automjete ndërsa ka arritur në 90 mijë në 2023.
“Brenda vitit 2024 parashikojmë të hapim fazën e parë dhe ndoshta të dytë të zgjerimit që shkon nga Tirana në Vorë. E para është Tiranë-Kthesa e Rinasit dhe e dyta nga kthesa Rinas-Vorë” thekson kreu i ARRSH.
Ndërkohë gjatë këtij muaj pritet të hapet tenderi për ndërtimin e rrugës Milot-Balldre, ndërsa në tetor do të hapet gara për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, po ashtu këtë vit do të hvillohet gara edhe për Baypass-in e Tiranës.
Objektivat e Infrastrukturës presin mbyllje të punimeve për fazën e parë të Elbasan Qafë-Thanë, Orikum-Dukat, aksit Palasë- Dhërmi, të rrugës Korçë-Ersekë, Maliq-Lozhan dhe Qafa e Buallit-Martanesh.
Sa i takon hekurudhave, po vijon puna për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës, si dhe është miratuar financimi për Durrës-Rrogozhinë. Kurse për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit, po bëhet gatu dokumentacioni, për të nisur me fazat e tjera të projektit.
Kalimi nga tuneli i Llogarasë që pritet të hapet në 30 qershor 2024, do të jetë me pagesë, dhe po ashtu edhe kalimi nga akset e Korridorit Blu ku përfshihen akset Milot-Thumanë, Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier, do të jetë me pagesë. Në verë të këtij viti pritet të hapet për kalim rruga Thumanë-Kashar. Po ashtu në këtë vit do punohet edhe për ndërtimin e Qendrës së Monitorimit të Trafikut, që do të ketë ndikim edhe tek kalimi me pagesë në këto akse.