Ditën e sotme policia ka shpallur në kërkim si autorin e dyshuar të vrasjes së mbrëmshme në Tiranë të Devi Kasmit, pikërisht Domart Konjarin.
Ai akuzohet se e ka qëlluar disa herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend në një rrugicë pranë Pediatrisë sapo 41-vjeçari doli nga banesa e tij.
Dyshohet se Kasmi tentoi të vriste në Spanjë Domart Konjarin, i cili mbeti i plagosur me 5 plumba. Konjari është i njohur për trafik ndërkombëtar kokaine dhe është dënuar me 10 vjet burg në Francë, por dhe i liruar në Shqipëri për shkelje proceduriale.
Domart Konjari është një emër i njohur jo vetëm për policinë shqiptare, por edhe atë ndërkombëtare.
Ai akuzohet për një sërë veprash penale, se ka krijuar organizatë kriminale në Francë, aktiviteti i së cilës ishte trafikimi dhe shitja e lëndës narkotike heroinë.
Konjari akuzohet për veprat penale të “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarise kriminale”, “Organizata Kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, Fallsifikimit të letërnjoftimeve, psaportave ose vizave” dhe “Korruspioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Pak ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri ka çelur sërish procesin gjyqësor ndaj Domart Konjarin, “kokën” e organizatës kriminale, shqiptarin që drejtonte tregun e heroinës në Francë.
Gjykata refuzoi kërkesën për gjykimin e tij në shtetin francez, ndërsa gjykimi i tij do të behej në mungesë të të abuzuarit.
Kjo pasi Konjari u arratis pak pasi Gjykata e Apelit i zbuti masën e sigurisë, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”.