Policia Rrugore në Tiranë ka vijuar ndëshkimin me gjoba të kalimtarëve që u presin rrugën automjeteve duke mos përdorur vijat e bardha.
Por këtë herë, përveç këmbësorëve, gjobave nuk i kanë shpëtuar as përdoruesit e biçikletave dhe patinave elektrike.
Mesazhi i policisë drejtuar kësaj kategorie:
Ne si Komisariati i Policisë Rrugore të Tiranës jemi përkushtuar për të ruajtur sigurinë e të gjithë përdoruesve të rrugëve. Së fundmi, kemi kapur në kamera shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor nga këmbësorë, çiklistë dhe përdorues të patinave elektrike.
Kujdes! Të mos kaloni rrugën jashtë vendkalimeve të këmbësorëve. Është jo vetëm shkelje e ligjit, por edhe rrezik për jetën tuaj dhe të të tjerëve.
Çiklistët dhe përdoruesit e patinave elektrike: Ju lutemi përdorni vendkalimet tuaja të dedikuara. Kjo ndihmon në mbajtjen e një qarkullimi të sigurt dhe të rregullt për të gjithë.
Ne do të jemi të vendosur dhe strikt ndaj çdo shkeljeje të rregullave të qarkullimit. Siguria rrugore është përgjegjësi e të gjithëve!
Ndajeni këtë mesazh për të ndërgjegjësuar më shumë njerëz rreth rëndësisë së respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.