Bordi Drejtues i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi konsultimet mbi Artikullin IV me Shqipërinë dhe miratoi raportin e stafit të misionit, pa nevojën e zhvillimit të një mbledhjeje, një praktikë e përshpejtuar që ndodh në rastet kur Bordi vlerëson se nuk janë të domosdoshme diskutimet.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë të ditur se ekonomia shqiptare është një performuesit më të fortë në rajon.
Në raportin e hartuar nga Bordi Drejtues i FMN-së theksohet se roli në rritje i turizmit ka shtuar besimin te perspektiva ekonomike e vendit.
“Ekonomia shqiptare është shfaqur si një nga performuesit më të fortë në rajon, konstaton në hyrje të raportit për Shqipërinë Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke shtuar se roli në rritje i turizmit ka shtuar besimin te perspektiva ekonomike e vendit”, thuhet në raport.
Gjithashtu në raport shpjegohet se “autoritetet shqiptare e kanë drejtuar me sukses ekonominë përmes goditjeve të njëpasnjëshme, falë politikave të duhura makroekonomike.”
Sa i përket perspektivës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE, FMN vë në dukje se ecuria ekonomike mund të ofrojë një shtysë shtesë për të adresuar sfidat strukturore afatgjata.
“Ekonomia vazhdon të zgjerohet me ritme të forta, e cila parashikon se për vitin 2023, ekonomia shqiptare do të rritet me 3.3%”, nënvizohet në raport.
FMN shkruan më tej në raport se “dhjetë muajt e parë të vitit 2023 kanë sjellë një pozicion fiskal shumë më të përmirësuar.”
Disa elementë që kanë ndikuar në performancën ekonomike sipas FMN-së janë edhe “eksportet e larta të shërbimeve, investimet e huaja direkte dhe remitancat sollën një përmirësim të pozicionit të llogarisë korrente dhe mbiçmim të Lekut”
Për perspektivat e rritjes, FMN parashikon që “rritja, ndonëse më e moderuar, parashikohet të mbetet e fortë, mbështetur nga kërkesa në shërbime dhe investimet e huaja direkte”.
Sa i përket bilancit të llogarisë korrente, FMN vlerëson se është në rrugën e duhur për t’u përmirësuar në vitin 2023, ndikuar nga flukset e forta hyrëse të lidhura me turizmin.