Biznesmeni Sino Llanaj është vënë në prangat e policisë në Vlorës pasi është kapur me armë zjarri dhe municion me vete në makinë. Ai u kap gjatë kontrolleve të policisë në qytetin e Vlorës, në lidhje me vrasjen e të riut Gëzim Sinomati. Llanaj është arrestuar në autostradën “Fier-Vlorë”.
Përveç tij është vënë në pranga dhe shtetasi Armandi Beqiraj, të cilit i është gjetur një armë në banesë. 2 armët e zjarrit pistoletë, municioni luftarak dhe automjeti që drejtonte 48-vjeçari, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale për secilin rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.
KUSH ËSHTË NDËRTUESI SINO LLANAJ:
Llanaj është një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit, por edhe i denoncuar në disa raste në polici, për shkak të problemeve që ka pasur me pallatet dhe apartamentet që ka nxjerrë në shitje. Llanaj mbeti i plagosur gjatë një përplasje me bodygardët e ortakut të tij, në vitin 2021 në Tiranë, ngjarje e ndodhur në zonën e ish-Parkut. Ndërkohë edhe në vitin 2022 Llanaj ka qenë protagonist i një tjetër incidenti, kur iu zjarri qëllimisht makinës së vëllait të tij, Dritan Llanaj. Nga zjarri patën dëme dhe makina të tjera në garazhin e pallatit që ishte ndërtuar nga Sino Llanaj.
KONTROLLET NË VLORË
Prej një jave policia lokale e Vlorës, në bashkëpunim dhe me forcat RENEA, ka ushtruar kontrolle të shumta, pas vrasjes me snajper të dielën të 22-vjeçarit Gëzim Sinomati. Ky i fundit u ekzekutua me një plumb teksa kishte dalë në dritaren e banesës së tij. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje, pasi babai i tij është në burg për vrasje, si dhe ka qenë pjesëmarrës në bandën e Gaxhait.