Një intervistë e Haxhisë bërë me gazetarin Xhevdet Shehu lidhur me fushatat e mëparshme elektorale, ish-truproja rrëfen si ish-Presidenti ka inkurajuar dhe shpërblyer ish-të dënuar në fushatën zgjedhore të vitit ‘97 për ta mbështetur, në këmbim të faljes së dënimeve. Ai përmend dhe një sërë emrash të njohur të botës së krimit të afro 20 viteve më parë.
– Izet, mora vesh se e kini uruar Dr. Sabit Brokajn për titullin ‘Qytetar Nderi’ i Vlorës që ai mori pak ditë më parë. U çudita, të them të drejtën, pasi e di faktin që ai ju ka përjashtuar nga fakulteti i Mjekësisë në vitin e fundit…
– Xhevdet, unë gjithë jetën time kam qenë kundër legenave të të gjitha krahëve por atyre që kanë pasë burrëri nuk u kam rënë në qafë. Sa për përjashtimin tim nga fakulteti, Dr. Sabiti ka pasur të drejtë, sepse kam qenë shumë i dhunshëm. Një njeri që pretendon të bëhet mjek nuk mund të jetë i dhunshëm në asnjë mënyrë.
Por kanë qenë kohë të tjera, kur forca dominon mendjen; kështu ndodhi me ne në atë kohë. Po, kështu ka ndodhur. Dhe siç e kam dëshmuar edhe më parë në bisedat me ju, po e përsëris: Dr. Sabiti ka qenë në planet për t’u eliminuar, bashkë me Gjinushin e Imamin, i cili paturpësisht u kthye prapë disa vite më vonë në prehrin e Berishës.
Ka diçka që ma ka shtuar respektin për dr.Sabitin. Atij i është propozuar nga Ramizi të krijojë Partinë Demokratike, por nuk ka pranuar. E megjithatë, studentët e mjekësisë i ka çuar në qytetin Studenti për të përkrahur ndryshimet.
Plus merita e tij më e madhe është në ndihmën që i ka dhënë luftës së Kosovës. Tjetër punë që paradoksalisht në atë vend patriotët janë quajtur ose budallenj, ose tradhtarë dhe e kundërta.
– Ish shefi yt Berisha nuk ka marrë pjesë në fushatë, përveçse postimeve që bën përditë në Facebook. Psh, dje ai postoi një status në rrjetin e tij social në të cilin shkruan se rivalët e tij politikë po bëjnë fushatë me kriminelë…
Çfarë konkretisht?(qesh) Nëse ka mbi tokë ndonjë lloj politikani që nuk duhet të flasë për përdorimin e kriminelëve në fushatë elektorale, ai është Saliu. Në 1997, unë vetë me porosi të Berishës kam bërë takime me kriminelët më në zë në atë kohë në Shqipëri, në mënyrë që t’u mbushja mendjen që të ndihmonin Partinë Demokratike në fushatën elektorale. Më duhet të përmend edhe ndërmjetësitë e atij takimi, që ishin dy gazetarë edhe sot aktivë dhe me emër, në atë kohë të dy shumë pranë Berishës. Porosinë ma ka dhënë vetë Berisha në mesin e fushatës elektorale të ‘97-s.
Konkretisht për të bërë marrëveshje me kriminelët më në zë të asaj kohe të turbulluar në Shqipëri që të ndihmonin PD-në, në këmbim të faljes së krimeve e dënimeve të tyre.
Kur ka ndodhur kjo?
Ka qenë mesi i muajt maj, dita që ka plasur eksplozivi në lokalin e Lush Përpalit. Jam takuar afër shtëpisë së Nehat Kullës me emra të njohur të krimit. Ndërmjetës në thirrjen e këtyre emrave ka qenë një tropojan që jetonte në Shkodër me emrin Esat Valbona.
Kush ka qenë në këtë takim?
Në atë takim kanë marrë pjesë Nehat Kulla, Feriz Kërnaja, Gjergj Bardhaj nga Shkodra. Kanë qenë persona nga Fieri e Tepelena, emrat e të cilëve nuk më kujtohen. Do të merrte pjesë edhe Naim Zyberi, por për arsye se përpara dy muajsh ai kishte vrarë një mikun tim të ngushtë, ka menduar se mos ishte një kurth që mund t’i kisha ngritur.
Por sipas fjalës së Nehat Kullës që e kishte mik, ai ka pranuar që të ndihmonte PD-në në fushatë, në këmbim të faljes së dënimit. Secili nga këta pranuan të ndihmonin PD-në në fushatë në këmbim të faljes së dënimeve të tyre apo miqve të tyre nga ana e Presidentit Berisha.
Ja kemi çuar një listë me emra të këtyre personave dhe të disa të tjerëve. Ka qenë një listë me rreth 150 emra të botës së krimit. Por pas rreth një jave të këtij takimi më vjen një nga dy gazetarët që thashë më sipër e më thotë që shumica e atyre emrave që je takuar ti, janë parë të shoqërojnë Fatos Nanon në fushatë.
Ndër ta kanë qenë Nehat Kulla e Naim Zyberi. Si duket, i thashë, ata ngaqë kanë bërë shumë burg e kanë më të mprehtë nuhatjen se në duar të kujt do të jetë qeveria e ardhshme e kush do t’i fitojë zgjedhjet.
Dhe këta emra janë përjashtuar nga amnistia e rreth 150 kriminelëve që u bëri Berisha në prag të zgjedhjeve të qershorit të ’97-s në këmbim të lirisë së tyre për të mbështetur fushatën e Partisë Demokratike, ose më mirë për të vjedhur votat me forcën e armëve në favor të PD-së. Kështu ka ndodhur…
Dhe çfarë roli luajtën ata në ato zgjedhje?
Si duket, edhe këtyre që iu bë falja, u treguan të paaftë në grumbullimin e votave me forcën e armëve, me përjashtim të zonës elektorale të Lushnjës, ku rezultati ishte 3-0 në favor të kriminelëve që mbështesnin PD-në. Se si i ka porositur Berisha të vjedhin votat, nuk kam qenë dëshmitar apo të kem dëgjuar me veshët e mi, sepse më pas këto gjëra ai i vijonte me detashmentet e Gazidedes.
Me sa e njeh ti Berishën, a thua ka hequr dorë nga drejtimi i punëve të partisë?
Nuk mendoj. Të gjitha fijet i luan ai në prapaskenë. Unë ua kam thënë disa herë dhe ua përsëris: në themelin e politikës së tij ai ka shpifjen, hipokrizinë, shantazhin dhe manipulimin. Ky njeri futi krimin në politikë, futi metodën e përdorimit të të fortëve rajonalë për të mbledhur vota. Një gjë duhet ta dini: Berisha nuk ka dashur asnjëherë afër vetes njerëz që nuk i ka dot në dorë. Këtë shembull e ndoqën edhe të majtët pas tij. Me sa duket dikur besuan se pa mbështetjen e krimit nuk mund të mundnin Berishën. Pra ata menduan ta mundin me armën e tij.
Shqipëria e sotme vazhdon ta vuajë këtë zgjedhje. Po nuk u hoq dorë njëherë e përgjithmonë nga përdorimi i të fortëve për qëllime elektorale, nuk do këputen kurrë fijet që lidhin krimin me politikën. Rrënjët janë shumë të thella tashmë. Por krimi nuk ka parti, këtë të vërtetë të provuar bëjnë mirë t’ia kujtojnë vetes herë pas here ata që merren me politikë.