Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ka reaguar pasi kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, deklaroi se do të vendosen gjoba ndaj avokatëve që bëjnë rekurs në këtë gjykatë të vendimeve gjyqësore.
Në një dekoratë për media, Dhoma Kombëtare e Avokatisë thekson se ky qëndrim i GJL, cenon hapur të drejtat themelore.
“Të fajësosh rekurset e bëra qofshin këto dhe të pabazuara nga avokatët, për shkak të vonesave në gjykim, e për rrjedhojë edhe të stokut të krijuar, është një qëndrim jokorrekt, i pavërtetë dhe jo transparent”, thuhet ne deklaratë.
Më tej theksohet se më këtë qëndrim të GJL, së pari cenohet e drejta e çdo individi për t’ju drejtuar Gjykatave të çdo niveli, përfshirë këtu Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, për të kërkuar një të drejtë në çdo kohë dhe në mënyrën që e vlerëson Ai.
Së dyti, cenohet e drejta e Avokatit për të ushtruar pa kufizim realizimin e mbrojtjes së interesave Ligjore të subjektit që përfaqëson.
Sipas Dhomës së Avokatisë, praktika të tilla janë në vazhdën e qëndrimeve të përshkallëzuar që i janë bërë në vite ushtrimit të profesionit të avokatit, duke filluar nga ngushtimi i hapësirës së mbrojtjes deri në pamundësinë e efektivitetit të saj.
DEKLARATA E PLOTË:
Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë me keqardhje e shqetësim, bën me dije qëndrimin e saj në përgjigje të prezantimit bërë ditët e fundit të vitit 2023 nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, për instalimin e një praktike unikale të paprecedent në asnjë nga praktikat gjyqësore botërore. Praktikë sipas së cilës kërkohet të gjobiten Rekursbërësit (Avokatë private, Avokatët e Shtetit e Prokurorë), në të gjitha ato raste kur gjykata i konsideron ato abuzive. Kjo, sipas Tij, përbën shkak për vonesat në gjykim e për rrjedhojë edhe të stokut të dosjeve në pritje për gjykim të krijuara në vite.
Të fajësosh rekurset e bëra qofshin këto dhe të pabazuara nga avokatët, për shkak të vonesave në gjykim, e për rrjedhojë edhe të stokut të krijuar, është një qëndrim jokorrekt, i pavërtetë dhe jo transparent. Me këtë deklarim e qëndrim, cënohen hapur të drejtat themelore:
Së pari, cënohet e drejta e çdo individi për t’ju drejtuar Gjykatave të çdo niveli, përfshirë këtu Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, për të kërkuar një të drejtë në çdo kohë dhe në mënyrën që e vlerëson Ai.
Së dyti, cënohet e drejta e Avokatit për të ushtruar pa kufizim realizimin e mbrojtjes së interesave Ligjore të subjektit që përfaqëson.
Për këdo është e qartë se Avokati përfaqëson, shpreh e mbron interesat e klientit bazuar në vullnetin e shprehur prej Tij, për rrjedhojë çdo ankim, apel apo rekurs, në çdo rast është shprehje ekskluzive e vullnetit të subjektit, qoftë person fizik apo juridik.
Me këtë adresim të pavërtetë të vonesave në gjykim dhe stokut të krijuar nga rekurset qoftë edhe abuzive, Ju morët përsipër justifikimin dhe mosevidentimin e shkaqeve të vërteta të situatës së krijuar në gjyqsorin shqiptar duke bërë pjesë të shkaqeve edhe veprimtarine e Avokatëve. Ju duhet të ishit transparent dhe me kurajo të evidentonit shkaqet e vërteta të vonesave në gjykim dhe stokut të krijuar.
Problematikat në gjyqsor jane komplekse te ardhura si rezultat i mosparashikimeve e mosmenaxhimit të problemeve që pas solli zbatimi i reformës në drejtësi.
Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë është sa e vetëdijshme aq edhe kurajoze për praninë e Avokatëve që abuzojnë me të drejtën e mbrojtjes dhe me mangësi profesionale dhe etike, për të cilat Dhoma në vazhdimësi ka mbajtur e mban qëndrim procedues si dhe po në vazhdimësi kujdeset për trajnimin profesional të Avokatëve. Kurrsesi nuk pranon konkluzionin se Avokatët janë shkaktarë të situatës së krijuar dhe aq më tepër të pranojnë të penalizohen për rekurset e mospranuara te ushtruara para Gjykatës së Lartë.
Reforma në drejtësi ishte një process i domosdoshëm dhe jetik për shoqërinë shqiptare, e për rrjedhojë u përkrah që në fillesat e saj nga Komuniteti i Avokatëve. Është fakt se reforma në drejtësi u diktua nga problemet e shumta të krijuara në vite, veçanërisht të korrupsionit që kishte mbërthyer organet e drejtësisë dhe ato të akuzës. Ështe aksiom, që korrupsioni fillon e mbaron atje ku jepet drejtësia dhe asnjëherë atje ku kërkohet drejtësi dhe mbrohen interesat e ligjshme të palëve në proçeset gjyqësore.
Kjo, nuk është orvatja e parë dhe e vetme. Kohët e fundit në hallkat e gjyqësorit me keqardhje konstatohet cënimi dhe kufizimi i aksesit të individit në drejtësi e për rrjedhojë edhe ai i ushtrimit të profesionit të Avokatit në gjykimin e proçeseve penale, civile apo administrative. Nder to vecojme praktikën e gjykimit në Dhomë Këshillimi pa pjesëmarrjen e avokateve dhe palëve ne proces, praktikë ne te cilen nga një gjykim i veçantë është kthyer në gjykim të zakonshëm.
Kjo praktikë është në kundërshtim me Konventat ndërkombëtare, me Kushtetutën, me vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut si dhe me dispozitat proceduriale penale, civile e administrative lidhur me berrjen e një procesi te drejte ligjor, ku barazia e palëve dhe dëgjimi i tyre drejtpërdrejtë nga Gjykata janë parime gjykimi baze për marrjen e një vendimi të drejtë bazuar në ligj e prova.
Praktika të tilla janë në vazhdën e qëndrimeve të përshkallëzuar që i janë bërë në vite ushtrimit të profesionit të avokatit, duke filluar nga ngushtimi i hapsires se mbrojtjes deri ne pamundesine e efektivitetit te saj. Keto realitete jane nje kthim prapa ne histori, te cilat sa vjen e bejne me te veshtire rolin e avokatit në proçesin e dhënies së drejtësisë.