Dy ditë para fillimit të vitit, një intervistë 42-minutëshe me Maria Vorontsova, vajza e madhe e Vladimir Putin, u publikua në YouTube. Megjithatë, ajo shkoi kryesisht pa u vënë re, mediat ruse dhe përdoruesit e rrjetit e morën parasysh pothuajse dy javë më vonë, më 11 janar.
38-vjeçarja Vorontsova iu përgjigj pyetjeve të ndryshme në podcast-in #ProNauku (Për shkencën), i cili u drejtohet shkencëtarëve të rinj dhe bizneseve fillestare. Pyetjet u ngritën nga Vyacheslav Sulenin, kreu i Qendrës së Moskës për Teknologjitë Inovative, i cili prezantoi Vorontsovan si një studiuese kryesore në Qendrën Mjekësore Kërkimore Kombëtare për Endokrinologjinë e Ministrisë së Shëndetësisë Ruse dhe si zëvendësdekane të Departamentit të Mjekësisë Bazë në një nga institucionet më të larta arsimore të vendit, në Universitetin Shtetëror Lomonosov në Moskë.
Kush është Maria Vorontsova?
Që kur mediat morën lajmin për intervistën, video numëroi qindra mijëra shikime. Vorontsova foli për çështje që kanë të bëjnë me shkencën, mjekësinë, si dhe kërkimet e saj në fushën e gjenetikës, duke theksuar se në Rusi “jeta e njeriut është ende vlera më e lartë për ne”.
Por ajo nuk tha asnjë fjalë për pushtimin rus të Ukrainës dhe as edhe një herë nuk përmendi babanë e saj.
Kremlini mban sekret gjithçka që lidhet me të afërmit e Presidentit Putin – në fakt, edhe ai kurrë nuk e ka konfirmuar se Vorontsova është me të vërtetë vajza e tij e madhe. Megjithatë, në të gjitha dokumentet zyrtare të publikuara nga mediat ruse, kjo e fundit figuron si Maria Vladimirovna Vorontsova, e lindur në vitin 1985. Dhe presidenti rus gjithmonë thekson se është krenar për dy vajzat e tij, dhe se ato nuk janë të përfshira as në politikë, e as në biznes. Por, siç zbuluan gazetarët, Vorontsova themeloi kompaninë Nomeco në Moskë në 2019, e cila investon miliarda në zhvillimin e teknologjive në sektorin e shëndetësisë.
Sipas informacioneve nga grupi i të burgosurit Alexei Navalny, Vorontsova ka bërë 232 milionë rubla në dividentë si aksionere e Nomeco-s vetëm në vitin 2020. Të dhënat më të fundit nuk janë të disponueshme. Përveç këtyre, ajo merr një pagë prej 700,000 rubla në muaj nga Nomeco.
Sipas ekipit të Navalny-t, të gjitha paratë në dispozicion të Nomeco-s erdhën nga SOGAZ Medizina, një kompani klinikat e së cilës kanë trajtuar politikanë dhe biznesmenë të shquar rusë nga rrethi i ngushtë i Putinit. Në gusht 2022, drejtuesit kryesorë të Nomeco-s blenë klinikat.
Në intervistën e saj, Vorontsova flet edhe për momente të caktuara të jetës së saj, duke shpjeguar se si në fëmijëri ëndërronte të bëhej mjeke, por kur mbaroi shkollën dëshironte të studionte ekonominë. Në fund, natyrisht, ajo përfundoi në mjekësi dhe u regjistrua në Departamentin e Mjekësisë Bazë në Universitetin Shtetëror të Moskës.
Dashamirëse e artit dhe sportit
Vorontsova përmendi gjithashtu interesin e saj për letërsinë, muzikën dhe sportin: “Interesat e mia janë mjaft të ndryshme: nga krijimtaria te sporti. Gjithçka që është e bukur më emocionon: pikturat, muzetë, teatrot, muzika. Muzika është një pjesë e rëndësishme e jetës sime, si klasike ashtu edhe xhaz. Dhe unë përpiqem t’i kushtoj disa orë në javë sporteve, madje edhe sporteve sezonale si surfimi ose skijimi.”
Vajza e Putinit ka jetuar dhe studiuar për disa vite në Gjermani dhe më pas në Rusi, ndërsa me ish-bashkëshortin ka jetuar edhe në Holandë deri në vitin 2015. Por më pas është kthyer në Moskë.
Pas fillimit të pushtimit rus, BE, Britania e Madhe dhe SHBA ata vendosën sanksione ndaj të dy vajzave të presidentit rus, duke ngrirë llogaritë e tyre bankare dhe duke i ndaluar hyrjen në ato vende.
Reagimet në Rusi dhe Gjermani
Megjithatë, intervista shkaktoi disa reagime të zemëruara në Rusi. Gazetari Andrei Sakharov shkroi: “Kërkojuni ekspertëve të zbulojnë se sa kushton unaza që ajo mban”.
Të ngjashme kanë qenë edhe reagimet e mediave gjermane. “Vajza e Putinit jep një intervistë të çuditshme për ‘vlerën e jetës njerëzore’“, titullohej një artikull në Der Spiegel, me gazetarët gjermanë që kritikonin Vorontsovan se nuk e përmendi fare luftën në Ukrainë.
Kjo nuk ishte intervista e saj e parë në media. Megjithatë, kjo e veçantë mund të tregojë se në funksion të zgjedhjeve presidenciale në mars, Putini po e diferencon disi strategjinë e tij të komunikimit, vëzhgon eksperti i komunikimit Joe Grebel. Putin ka bërë gjithmonë atë që bëjnë liderët e tjerë autoritarë. Eksperti e përshkruan mesazhin klasik të presidentit rus si më poshtë: “Unë jam këtu për të gjithë popullin. Nuk kam gjëra kaq të zakonshme për t’u shqetësuar, si për një familje të vogël.”
Por Putini e kuptoi shpejt se i duhej të modernizonte taktikat e tij të komunikimit. “Çfarë duket mirë? Në doza të caktuara, siç kuptojmë, mjafton për të krijuar përshtypjen se ai vetë ka familje ose të paktën se ka fëmijë dhe se vajza e tij është madje mjeke, shkencëtare e njohur”, shpjegon Grebel.